Esther Friedli heq dorë nga gara për Këshilltare Federale, synon rizgjedhjen në Këshillin e Shteteve
Esther Friedli, përfaqësuese e Partisë Popullore Zvicerane (SVP) nga kantoni St. Gallen, ka vendosur të mos kandidojë për ta pasuar Presidentin Federal, Guy Parmelin. Në vend të kësaj, ajo synon të përqendrohet në rizgjedhjen e saj në Këshillin e Shteteve, në mënyrë që të vazhdojë të përfaqësojë interesat e kantonit të saj.
Politikania 49-vjeçare ka konfirmuar se nuk do të hyjë në garë për këtë post, pavarësisht se konsiderohej një nga kandidatet e preferuara të SVP-së në Zvicrën gjermanishtfolëse.
“Jam e nderuar që konsiderohem si kandidate. Megjithatë, nuk mund ta imagjinoj të heq dorë nga pozicioni im si anëtare e Këshillit të Shteteve pas vetëm tre vitesh e gjysmë”, deklaroi Friedli raporton Blick , transmeton Telegrafi.
Në vend të kandidimit për Këshilltare Federale, Friedli dëshiron të vazhdojë punën në përfaqësimin e interesave të kantonit St. Gallen dhe synon të rizgjidhet vitin e ardhshëm.
Një nga prioritetet e saj mbetet zgjerimi i infrastrukturës së transportit në Zvicrën Lindore. Si presidente e Komisionit të Transportit të Këshillit të Shteteve, ajo synon të sigurojë që kantoni St. Gallen të merret siç duhet në konsideratë në vendimet e ardhshme.
Friedli synon të vazhdojë angazhimin për St. Gallen
Përveç angazhimit politik, Friedli është edhe pronare restoranti. Së bashku me bashkëshortin e saj, Toni Brunner, ajo drejton restorantin “Haus der Freiheit” (Shtëpia e Lirisë), në Ebnat-Kappel.
Puna në restorant i mundëson asaj të mbajë kontakte të afërta me njerëzit dhe të marrë reagime që i konsideron të vlefshme për angazhimin e saj politik.
“Do të isha e kënaqur nëse do të rizgjidhesha dhe më pas do të mund të vazhdoja t’i përkushtohesha St. Gallen me gjithë forcën dhe energjinë time”, tha Friedl.
Vendimin për të mos kandiduar për Këshilltare Federale, ajo e sheh si një angazhim të qartë ndaj përgjegjësive që ka aktualisht.
Ndërkohë, sa i përket pasuesit të Guy Parmelin, Friedli shpreson që Zvicra të ketë një udhëheqës me vendosmëri. /Telegrafi/
