“Është diçka që nuk do ta shohim më”, ish-ylli i PSG-së flet me entuziazëm për Messin
Ish-mesfushori spanjoll Ander Herrera, i cili luajti me Lionel Messin te Paris Saint-Germain, ka folur me entuziazëm për magjinë e legjendës argjentinase gjatë stërvitjes.
Periudha e Messit në kryeqytetin francez shpesh u dëmtua nga mungesa e suksesit në Ligën e Kampionëve, megjithatë ai kurrë nuk dështoi të mahniste shokët e ekipit me talentin e tij të jashtëzakonshëm.
"Është diçka që nuk do ta shohim më. Sa herë e humbi topin në stërvitje? Zero. Ishte çmenduri. Leo, çdo ditë!", ka thënë fillimisht Herrera.
“Yjet janë yje. Mendoj se kisha empatinë e nevojshme për të luajtur me ta. Duhet të dish si t'u japësh hapësirë, sepse nëse bëj punën time, ata do të më bëjnë më të mirë. Messi dhe Neymar duan që t'u japësh atyre topin dhe të jesh aty në rast se kanë nevojë ta kthejnë”.
Herrera foli gjithashtu për kompleksitetet në menaxhimin e një skuadre të mbushur me yje dhe se si qasja e ndryshme e Luis Enriques çoi në suksesin e PSG-së.
"Është e vështirë, por jo e pamundur. Ancelotti e bëri këtë te Real Madridi me Cristianon, me Balen, me Benzeman, me Sergio Ramosin… Dhe shikoni çfarë arriti Enrique me Paris Saint-Germain”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/
