TË FUNDIT

Enis Rexhepi mbeti jashtë listës ndaj Izraelit, arsyeja lidhet me dokumentacionin në FIFA

Sulmuesi 18-vjeçar i Stuttgartit, Enis Rexhepi nuk është përfshirë në mesin e 23 futbollistëve për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Izraelit, pasi ende nuk është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm në FIFA. Megjithatë, besimi i Franco Fodës dhe drejtuesve të FFK-së ndaj tij është i madh.

Enis Rexhepi nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjen e sotme të Kosovës ndaj Izraelit, pasi emri i tij nuk është përfshirë në listën e 23 futbollistëve për këtë përballje.

Arsyeja e mungesës së talentit 18-vjeçar lidhet ekskluzivisht me moskompletimin e dokumentacionit të nevojshëm nga FIFA, për ndërrimin e përfaqësueses nga Shqipëria te Kosova, dhe jo me ndonjë vendim teknik apo mungesë besimi nga stafi i Kombëtares.

Përkundrazi, besimi i përzgjedhësit Franco Foda dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës ndaj sulmuesit të Stuttgartit është shumë i madh, duke e konsideruar atë si një futbollist me potencial të rëndësishëm për të ardhmen e Dardanëve.

Foda dhe Rexhepi gjatë një stërvitjeje

Rexhepi ka zgjedhur me dëshirë ta përfaqësojë Kosovën dhe mezi pret momentin kur do të ketë mundësinë të debutojë me fanellën e Kombëtares.

Kështu, mungesa e tij në listën e sotme nuk e ndryshon aspak vlerësimin dhe pritshmëritë që Foda dhe FFK-ja kanë për talentin e ri, i cili pritet të jetë një emër për t'u përcjellë në të ardhmen e përfaqësueses. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *