Endrit Nika sërish në gjykatë për vdekjen tragjike të argjentinases në Fushë Kosovë, sot vazhdon rigjykimi
1Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë sot, rigjykimin ndaj Endrit Nikës, i cili akuzohet për vrasjen e rëndë të shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në gusht të vitit 2023, pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Rasti rikthehet në shqyrtim gjyqësor pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta aprovuar ankesën e mbrojtjes, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Më 19 shkurt 2026, Nika ishte dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa në seancën e parë të procesit të ri, më 1 shtator, ai ishte deklaruar sërish i pafajshëm.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe të dashurës së tij. Aktakuza pretendon se fillimisht Nika e kishte goditur të renë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Sipas Prokurorisë, përplasja mes tyre kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku i akuzuari dyshohet se, përmes goditjeve dhe shtyrjeve, e kishte hedhur Urdangaray nga dritarja e katit të gjashtë.
E reja argjentinase kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Rigjykimi po zhvillohet para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gazmend Bahtiri, me anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi.
Seanca e kaluar ishte ndërprerë pas kërkesës së mbrojtjes për sigurimin e një përkthyesi të përshtatshëm të gjuhës gjermane për të akuzuarin.
