TË FUNDIT

Egzon Shallki dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit

Egzon Shallki është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit, i cili humbi jetën vitin e kaluar pasi u godit nga një veturë që drejtohej nga i akuzuari.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndërsa lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkorda.

Shkorda ka bërë të ditur se, përveç dënimit me burgim, ndaj Shallkit është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

“25 vjet burgim edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim, e cila masë do të ekzutohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë”, ka konfirmuar Shkorda.

Kurse sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, ngjarja kishte ndodhur më 8 shtator 2025, rreth orës 20:29, në sheshin “Bafti Haxhiu”, në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti.

Në aktgjykim thuhet se i akuzuari, në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore dhe për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme me të dëmtuarin V. G., kishte drejtuar veturën e tij të markës “Opel Insignia” në drejtim të personave që po qëndronin pranë një tavoline në shesh.

Sipas gjykatës, i akuzuari kishte shkuar dy herë me veturë deri afër tavolinës ku ndodheshin personat e dëmtuar, pa i goditur, ndërsa herën e tretë kishte devijuar nga shiriti i djathtë në atë të majtë, kishte rritur shpejtësinë dhe ishte vërsulur me veturë drejt tyre.

Si pasojë e goditjes, tre persona kishin pësuar lëndime të lehta trupore, një tjetër lëndime të rënda, ndërsa Auron Ferizi ishte dërguar në repartin intensiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Ai nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve dhe kishte vdekur më 10 shtator 2025.

Pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, trupi gjykues e ka dënuar Egzon Shallkin me 25 vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë, të kryer në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore.

Përveç dënimit me burgim, gjykata i ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.

Ndaj tij është shqiptuar edhe dënimi plotësues i marrjes së lejes së vozitjes për pesë vjet. Kjo masë do të zbatohet kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa koha e kaluar në burg nuk do të llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.

Gjykata ka bërë të ditur se gjatë caktimit të dënimit ka marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese të rastit.

Sipas njoftimit, dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund të shqiptohej, pasi në kohën e kryerjes së veprës penale i akuzuari kishte qenë në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore. Kjo ndalesë përcaktohet në nenin 41, paragrafi 3, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka njoftuar gjithashtu se do të nxjerrë aktvendim të veçantë për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Auron Ferizi kishte humbur jetën pasi ishte goditur nga vetura që drejtohej nga Shallki. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *