TË FUNDIT

Dyshohet se zbuloi informacione për prona në këmbim të ryshfetit, ndalohet një person në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet N.A., i dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, ndalimi është bërë pas hetimeve disamujore të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Rasti po trajtohet nga Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, personi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit.

“Këto veprime dyshohen se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Personi dyshohet për tri vepra penale: keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Institucioni ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *