Dyshohet se nxirrte dokumente zyrtare të Kosovës në mënyrë të kundërligjshme, ndalohet për 48 orë një person në Leposaviq
Një person është ndaluar për 48 orë në Leposaviq, nën dyshimin se merrej në mënyrë të kundërligjshme me nxjerrjen e dokumenteve zyrtare të Republikës së Kosovës që lidhen me regjistrimin civil.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet R.M. shfrytëzonte një kioskë në Leposaviq, ku kryente shërbime për servisimin e telefonave celularë.
Pas pranimit të informatave nga Hetimet Rajonale të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, zyrtarët policorë kanë kryer kontrolle në këtë lokacion, me asistimin e njësisë rajonale të forenzikës.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar përkohësisht pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se janë relevante për rastin.
Lidhur me këtë rast, përveç dy personave të tjerë, është intervistuar edhe i dyshuari R.M., në prani të avokatit mbrojtës.
Pas shqyrtimit të rrethanave, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se rasti do të trajtohet nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Veriut, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
