Drogë e fshehur në DVD dhe CD! Dauti zbulon rastin e kontrabandës në Postën e Shkupit: Dogana në vijën e parë kundër krimit!
Metamfetaminë dhe kokainë të fshehura brenda DVD-ve dhe CD-ve në dërgesat postare! Ky është një nga rastet e kontrabandës së parandaluar në terminalin doganor të Postës në Shkup, të cilin e ka rikujtuar zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, gjatë një vizite në këtë institucion.
Dauti ka bërë të ditur se gjatë muajit qershor të këtij viti, doganierët kishin zbuluar dhe parandaluar kontrabandimin e substancave narkotike, të kamufluara në mënyrë të pazakontë brenda dërgesave postare.
“Siguria e dërgesave postare dhe parandalimi i kontrabandës mbeten prioritet i Doganës”, ka theksuar Dauti, duke nënvizuar rëndësinë e kontrolleve në një pikë ku përpunohen dërgesa nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë vizitës në Zyrën Doganore Posta në Shkup, zëvendësdrejtori është njohur nga afër me aktivitetin e punonjësve, sfidat e përditshme dhe përgjegjësitë e tyre në kontrollin e mallrave që hyjnë në vend.
Sipas tij, vetëm gjatë dy muajve të fundit, përmes këtij terminali kanë hyrë mbi 1.900 dërgesa postare.
Duke iu referuar rastit të drogës së zbuluar në qershor, Dauti ka theksuar se misioni i doganierëve shkon përtej kontrollit të zakonshëm të pakove.
“Ky rast dëshmon se puna doganore nuk ka të bëjë vetëm me kontrollin e dërgesave, por edhe me mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme”, ka deklaruar zëvendësdrejtori Mustafa Dauti.
Ai ka ritheksuar se siguria e dërgesave dhe lufta kundër kontrabandës mbeten ndër prioritetet e institucionit doganor.
