Drita merr një fitore të madhe në udhëtim te Llapi
Drita ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Llapi me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javës së dhjetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Ardian Nuhiut ka gjetur formën duke e marrë edhe fitoren e dytë radhazi në kampionat, pasi pas fitores ndaj Ballkanit para disa ditësh, ka mposhtur Llapin e Tahir Batatinës, duke e thelluar edhe më shumë në krizë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por përkundër disa rasteve të krijuara, portat mbeten të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat të barabartë 0-0.
Në pjesën e dytë, u zhvillua krejtësisht tjetër lojë, më e hapur, më shumë raste dhe tri gola të shënuar.
Goli i parë i ndeshjes erdhi qysh në minutën e parë të pjesës së dytë me anë të Vesel Limajt, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca për epërsinë e Dritës 0-1.
Mysafirët arritën të shënojnë edhe golin e dytë shpejtë, ku kësaj radhe ishte Liridon Balaj, i cili dyfishoi epërsinë në minutën e 50-të, pas një gabimi të Benjamin Eminit.
Llapi arriti të kthehet në lojë në minutën e 77-të me anë të Arbnor Aliut, i cili shënoi një supergol nga distanca për të ngushtuar rezultatin në 1-2, por përkundër disa rasteve, gola më nuk pati dhe Drita në fund iu gëzua fitores.
Pas kësaj fitore, Drita ngjitet në pozitën e tretë me 17 pikë, ndërsa Llapi mbetet i nënti me vetëm katër pikë.
Në ndeshjen e radhës, gjilanasit udhëtojnë te Prishtina, teksa llapjanët luajnë në udhëtim te Gjilani. /Telegrafi/
