Dramë në “Der Klassiker”, Dortmundi ia mohon fitoren Bayernit në ‘frymën e fundit’
Bayern Munich dhe Borussia Dortmundi kanë dhuruar spektakël në “Der Klassiker”, duke u ndarë në barazim 2-2 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tetë të Bundesligës.
Përballja në “Allianz Arena” nisi me raste nga të dyja skuadrat. Michael Olise ishte pranë golit për Bayernin në minutën e 10-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla. Në anën tjetër, portieri Jonas Urbig u dallua me një pritje të rëndësishme ndaj goditjes së Jobe Bellinghamit.
Dortmundi arriti ta dërgonte topin në rrjetë në minutën e 34-t, kur Jobe Bellingham shënoi pas një topi të kthyer nga mbrojtja, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozitë jashtë loje.
Vetëm katër minuta më vonë, ishte Bayerni që kaloi në epërsi. Pas një pritjeje të Gregor Kobel ndaj goditjes së Konrad Laimerit, austriaku reagoi më shpejt se të gjithë dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Në pjesën e dytë, Harry Kane pati mundësinë ta dyfishonte epërsinë nga pika e bardhë, por goditja e tij u ndal nga traversa në minutën e 56-të.
Dortmundi e shfrytëzoi këtë moment dhe në minutën e 60-të arriti të barazonte. Carney Chukëuemeka asistoi për Serhou Guirassyn, i cili realizoi me një goditje të saktë për 1-1.
Megjithatë, përgjigjja e Bayernit ishte e shpejtë. Në minutën e 66-të, pas një krosimi të Harry Kane, Dayot Upamecano u gjend në vendin e duhur dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-1.
Kur dukej se vendasit do t’i merrnin tri pikët, Dortmundi reagoi sërish. Në minutën e 89-të, Fabio Silva përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë realizoi për 2-2, duke i dhënë fund derbit me ndarje të pikëve.
Me këtë barazim, Bayerni dhe Dortmundi kanë nga 18 pikë pas tetë xhirove. Bavarezët vazhdojnë të kryesojnë tabelën, ndërsa skuadra verdhezi renditet në vendin e dytë./ Telegrafi /
