Dosja e spiunazhit/ Prokuroria: Sheholli veproi me urdhra të BIA-s, synohej ndërhyrja në zgjedhje
I akuzuari për spiunazh, Fatmir Sheholli, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton KosovaPress.
Mbrojtësi i tij, avokati Mentor Neziri, ka njoftuar se heqin dorë nga paraqitja e kërkesës për hedhjen e aktakuzës, duke kërkuar që të procedohet me shqyrtimin gjyqësor.
Avokati i Shehollit: Kemi vendosur të heqim dorë nga kërkesa për hedhjen e aktakuzës
“Para pesë ditësh kam qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe kam vizituar Shehollin. Ne kemi biseduar sa i përket kundërshtimit të aktakuzës dhe, duke ia shpjeguar se ne kemi të drejtë që të tërhiqemi nga kërkesa për hedhjen e aktakuzës, i njëjti është pajtuar me mua që në këtë fazë të heqim dorë nga paraqitja e saj. Sidomos duke pasur parasysh kohën e qëndrimit në paraburgim, ka prova të shumta personale gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe ne jemi dakorduar që të tërhiqemi nga e drejta e paraqitjes së kërkesës për hedhjen e aktakuzës. Gjykatës i propozojmë ta aprovojë propozimin tonë dhe të fillojmë menjëherë me shqyrtimin gjyqësor”, tha Neziri.
E prokurori special Bekim Kodraliu ka lexuar aktakuzën ndaj Shehollit.
Kodraliu: Sheholli dyshohet se veproi sipas urdhrave të një zyrtari të lartë të BIA-s
“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – i njohur si ‘BIA’, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiç, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”, tha Kodraliu gjatë leximit të aktakuzës.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Prokuroria pretendon se i pandehuri kishte zbatuar edhe një plan operativ të përgatitur nga zyrtari i BIA-s, i cili, sipas aktakuzës, synonte dëmtimin e interesave të Kosovës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor të 12 tetorit 2025.
Në aktakuzë thuhet se më 26 shtator 2025, rreth orës 14:00, Sheholli, i shoqëruar nga një anëtar i familjes dhe duke përdorur një automjet të markës “Audi”, kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, në parkingun e Shkollës Teknike, në afërsi të kafiterisë “Sindikata”, ai kishte pranuar nga një person i paidentifikuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Prokuroria pretendon se materialet ishin destinuar për komprometimin e këtyre zyrtarëve, ndërsa Sheholli dyshohet se kishte pranuar edhe 5 mijë euro si shpërblim për kryerjen e detyrës.
Sipas aktakuzës, në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-s, materialet më pas ia kishte dorëzuar një gazetari, së bashku me shumën prej 1 mijë eurosh.
Ai pretendohet se e kishte udhëzuar gazetarin edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të materialeve, vetëm disa ditë para votimit për zgjedhjet lokale.
Kodraliu lexon një pjesë të shkurtër të aktakuzës ndaj Shehollit
“Përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktakuzën e lexuar nga Kodraliu.
Prokuroria e ngarkon Shehollin me veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas leximit të aktakuzës, Sheholli është pyetur lidhur me fajësinë.
Sheholli: E ndjej veten të pafajshëm
“E ndjej veten të pafajshëm”, tha Sheholli.
Rasti ndaj tij lidhet me pretendimet e Prokurorisë për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosje përmenden materiale dhe komunikime që organi i akuzës i konsideron prova në kuadër të hetimeve.
Sipas aktakuzës së 25 gushtit 2026, dosja përmban dhjetëra prova materiale dhe personale, përfshirë përgjime telefonike, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-incizime, pamje të kamerave të sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar.
Prokuroria pretendon se Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA, kishte vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të Bojan Dimiqit, të cilin aktakuza e identifikon si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA.
Sipas organit të akuzës, Sheholli kishte mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
