“Do ta votoja edhe sot Specialen”/ Zogiani kritikon deklaratën e Grudës
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se Kosova nuk duhet të pendohet për themelimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht zhvillimeve dhe vendimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Lajmi.net
“Nuk besoj, dhe nuk duhet të jemi pishman për themelimin e Gjykatës Speciale, aspak!”, ka thënë Gruda.
Ndërkohë, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka reaguar ndaj kësaj deklarate. Ai ka argumentuar se nëse PDK-ja do ta votonte sërish Specialen, kjo tregon, sipas tij, se kundërshtimi ndaj saj nuk është parimor.
Zogiani ka shkruar se qëndrimi i PDK-së ndryshon në varësi të rrethanave politike dhe e ka cilësuar këtë si “përdorim oportunist të çështjes së UÇK-së”.
Postimi i plotë:
Nëse kryetari i Grupit Parlamentar të PDK thotë do ta votoja edhe sot Gjykatën Speciale, dhe duke qenë se Kosova ka një marrëveshje me BE-në për ktë gjë, rreziku ekziston që në rrethana tjera këta ta bëjnë prap “gabimin” e njejt… Pra, këta nuk po kanë kundërshtim parimor ndaj një gjykate kundër UÇK, por kundërshtimi i tyre është konjuktural, kur ndryshojnë rrethanat, dalin prap na thonë: kush është kundër Gjykatës, është kundër Amerikës, dhe nuk dalim nga ky cikël i pafund i “gabimeve” të tyre, që në thelb janë përdorim oportunist i çështjes së UÇK!
