Diplomacia përmes volejbollit, Zelensky dhe Magyar luajnë së bashku – ndërsa zbuten tensionet mes Kievit dhe Budapestit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministri hungarez, Péter Magyar, zhvilluan një ndeshje miqësore volejbolli në një shkollë të mesme në rajonin e Zakarpatisë, në Ukrainë, të martën. Ky rajon ka qenë prej kohësh një nga burimet kryesore të tensioneve mes Kievit dhe Budapestit.
Magyar vizitoi Ukrainën në kuadër të asaj që e cilësoi si një vizitë “historike”, duke sinjalizuar përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe pas ndryshimit të qeverisë në Hungari në prill, transmeton Telegrafi.
Gjatë vizitës, dy liderët vizituan një shkollë të mesme në gjuhën hungareze në qytetin Berehove, në jugperëndim të Ukrainës, i njohur si një nga qendrat kryesore të kulturës hungareze në vend.
Aty, ata iu bashkuan nxënësve në një ndeshje miqësore volejbolli, duke luajtur në ekipe kundërshtare. Në videot e publikuara në llogaritë e Magyarit në rrjetet sociale shihen momente nga ndeshja, ku të dy liderët u përfshinë me entuziazëm në lojë.
“Një ndeshje e shkurtër volejbolli me presidentin e Ukrainës dhe nxënësit hungarezë në Liceun Lajos Kossuth në Berehove, i cili vitin e ardhshëm do të festojë 125-vjetorin e themelimit”, shkroi Magyar në një postim në Facebook.
Rajoni i Zakarpatisë është shtëpi e rreth 100 mijë banorëve me përkatësi etnike hungareze, trajtimi i të cilëve ka qenë vazhdimisht burim përplasjesh mes Kievit dhe Budapestit.
Hungaria e ka akuzuar prej kohësh Ukrainën për kufizimin e të drejtave të pakicës hungareze, veçanërisht përmes ligjeve që kufizonin arsimimin në gjuhët e pakicave pas përfundimit të arsimit fillor dhe kërkonin përdorimin e gjuhës ukrainase në jetën publike.
Në një zhvillim të mirëpritur nga Budapesti, parlamenti ukrainas miratoi muajin e kaluar një ligj që zgjeron të drejtën e hungarezëve dhe pakicave të tjera për të marrë arsimim në gjuhët e tyre amtare.
Pas këtij vendimi, qeveria e Magyarit hoqi kundërshtimet ndaj hapjes së negociatave mes Ukrainës dhe Bashkimit Evropian për standardet e tregut të brendshëm dhe konkurrueshmërisë. Këto janë dy nga fushat ku Kievi duhet ta përshtatë legjislacionin me rregullat e BE-së në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Që nga marrja e detyrës në prill, Magyar ka ndjekur një qasje më pak konfrontuese ndaj Kievit sesa paraardhësi i tij, Viktor Orbán, i cili njihej për qëndrimin miqësor ndaj Rusisë.
Magyar po synon të përmirësojë marrëdhëniet me Ukrainën, ndërsa vazhdon të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të pakicës hungareze që jeton atje. /Telegrafi/
