Dimitrieska-Koçoska paralajmëron ndalimin e pagesave me para të gatshme te kreditë e shpejta
Pagesat e kredive të shpejta dhe pagesat ndaj shoqërive financiare duhet të kryhen ekskluzivisht përmes llogarive transaksionale.
Heqja e operimit me para të gatshme është një nga ndryshimet në zgjidhjen e re ligjore që e paralajmëroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në një paraqitje në Radio Lider, ministrja tha se teksti i ligjit është përgatitur dhe se ka përfunduar leximi i tij i fundit. Në deklaratë nuk u specifikua data se kur do të fillojë zbatimi i rregullave të reja.
“Nuk mund të ketë pagesa në para të gatshme dhe as arkëtime në para të gatshme”, tha Dimitrieska-Koçoska, duke shtuar se pret reagime të ashpra nga shoqëritë financiare.
Sipas paralajmërimit, paratë nga kredia e miratuar do të transferoheshin në një llogari bankare, ndërsa edhe pagesat e klientëve do të realizoheshin përmes llogarive. Me këtë do të ekzistonte evidencë bankare për lëvizjen e mjeteve ndërmjet shoqërisë dhe përdoruesit.
Ministrja theksoi se paraqitjet e qytetarëve dhe përvojat nga kontrollet kanë ndihmuar në përcaktimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore. Ajo i ftoi qytetarët që edhe më tej të raportojnë parregullsi.
Ajo kujtoi gjithashtu se Ministria e Financave në vitin 2024 u kishte dërguar një letër qarkore shoqërive financiare, duke i paralajmëruar që të mos ngarkojnë pagesa për kujtesat (vërejtjet) dhe veprime të ngjashme në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
