“Dikur e quante turist, sot e propozon president” – veprimtari nga SHBA zbërthen lëvizjen e Haradinajt për Thaçin
Propozimi i deputetit tw Aleancws, Ramush Haradinaj, që ish-presidenti Hashim Thaçi të rikthehet në krye të shtetit, ka hapur një debat të ri në skenën politike të Kosovës.
Haradinaj e ka cilësuar këtë si një “nder” që deputetët e legjislaturës së 11-të do t’i bënin Thaçit, mirëpo propozimi i tij vjen në një rrethanë të pazakontë, pasi Thaçi vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë, ndërsa më 16 shtator pritet të merret vendimi në rastin ndaj tij dhe ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së.
Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” ka folur veprimtari shqiptar në SHBA, Ramazan Bekteshi.
Sipas tij, pikërisht koha në të cilën është bërë ky propozim e bën atë të pazakontë dhe ngre pikëpyetje për prapavijën e tij.
“Për shkak të vendimit të papërfunduar të Gjykatës Speciale, propozimi i Haradinajt zgjon shumë kureshtje, por edhe dilema për skenarë e porosi të paparashikueshme. Deri më tani një propozim i tillë s’ka ardhur as nga partia e tij, PDK-ja, as nga bota akademike. E nga jashtë i vetmi që bën zhurmë është Grenell, ai që më 2020 shkaktoi grusht shtet në Kosovë dhe instaloi PDK-LDK-në në një pushtet jetëshkurtër me Hotin kryeministër. Grenell, edhe pse është një lobist serb, pa fuqi në administratën e Trumpit, ai vazhdon të mbajë lidhje, pos Vuçiqit, edhe me politikanët e Kosovës nga opozita.
Paradoksi 1: Deklaratat e Grenellit janë dëshmi e mbështetjes së tij politike për Thaçin, por ai më shumë bëri zhurmë se veproi. Më 31 korrik 2022 Grenell shkroi publikisht: ‘E lironi Thaçin!’ dhe tha se Kurti ishte problemi. Në tetor 2023 Grenell tha se kur Thaçi ishte president, Kosova dhe Serbia ‘ishin në rrugë të mirë për të arritur një marrëveshje’, dhe se Thaçi, ndryshe nga Kurti, do t’i respektonte marrëveshjet e mëparshme.
Në gusht 2026, në një intervistë të fundit, Grenell shkoi edhe më larg: sipas raportimit, ai tha se Perëndimi e dëshiron Thaçin të lirë dhe në Kosovë për të ndihmuar në udhëheqjen e saj, ndërsa krizën aktuale politike ia atribuoi Kurtit. Pra, Grenell, sa herë që deshi të kritikojë Kurtin, ai e përmendi Thaçin, por në fakt ai kurrë s’e ndihmoi HTH-në siç premtonte, derisa administrata nuk shqiptoi asnjë fjali të vetme në mbrojtje të HTH, ashtu si premtohej. Pra Grenell mbetet një mashtrues i madh kur flitet për premtimet dhe retorikën e tij për HTH”, deklaroi Bekteshi.
ImageRamazan Bekteshi.Foto galeri
Më tej, ai u ndal te marrëdhënia politike mes Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit, duke e cilësuar si paradoks faktin që një politikan që në të kaluarën e kishte kritikuar ashpër Thaçin, sot propozon rikthimin e tij në postin e presidentit.
“Paradikosi 2: Befasi është sepse Ramush Haradinaj ka pasur përplasje të forta politike ndër vite me H. Thaçin, edhe pse në periudha të caktuara kanë bashkëpunuar. Më vonë, marrëdhënia ndryshoi. Në 2012–2013, Haradinaj dhe Thaçi nisën bashkëpunim për dialogun Kosovë–Serbi dhe në 2017 Haradinaj u bë kryeministër në një qeveri ku Thaçi ishte president. Një nga përplasjet më të forta të Haradinajt ishte në 2018, kur Thaçi mbështeti idenë e ‘korrigjimit të kufirit’ me Serbinë. Haradinaj e kundërshtoi kategorikisht ndryshimin e kufijve të Kosovës. Pra, Haradinaj dhe Thaçi nuk kanë qenë gjithmonë armiq politikë, marrëdhënia e tyre ka kaluar nëpër faza: nga rivaliteti i fortë, opozitë, pastaj bashkëpunim dhe përplasje përsëri.
Kontrasti i madh me Haradinajn e sotëm dhe të djeshmin: më 22 gusht 2026, ai propozoi pikërisht Hashim Thaçin për president, duke thënë se do të ishte në nderin e legjislaturës që t’ia vazhdonte mandatin, derisa më herët Ramushi, në mënyrë ‘brutale’, e godiste HTH: ‘Z. Thaçi turist është, ai ka qëndru në Drenicë, në Rogner, ka qëndru diku tjetër.’ Pra, Haradinaj ka pasur një qëndrim poshtërues duke e reduktuar rolin e HTH në luftë në atë të turistit. ‘Nëse ka dikush bjeshkë me i dhonë, le ta japë pronën e vet dhe jo bjeshkët e Kosovës.’ ‘Zoti Thaçi dhe Qeveria i kanë dhënë një tokë Malit të Zi’, ‘Kufijtë me i lëvizë i interesojnë vetëm Putinit’, ‘Ndarja e Kosovës është luftë…’”, tha ai.
Bekteshi theksoi se pikërisht ky ndryshim i qëndrimit e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se çfarë e ka shtyrë Haradinajn të bëjë këtë propozim në këtë moment.
“Vlen të theksohet se Haradinaj nuk ia jepte Thaçit mandatin për të negociuar territorin më 2018. Ai sqaroi se mbështetja që i kishte dhënë presidentit për dialogun ishte për njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe jo për tezën e korrigjimit të kufirit. Në debatin për ndarjen e Kosovës, Haradinaj e drejtoi kundërshtimin edhe ndaj treshes Rama–Thaçi–Vuçiç, duke e bërë të qartë se nuk do ta pranonte projektin.
Pranë gjithë këtij kundërshtimi tani lind pyetja: Pse Haradinaj e propozoi HTH për president në këtë kohë pa kohë? A është kjo një ide e tij origjinale apo një shtyrje nga jashtë? A e sheh Haradinaj HTH si mundësi për t’u rikthyer në pushtet? Apo, thjesht, një lojë politike me presidentin që të gjithë e duan për vete, për shkak të rëndësisë në dekretime e më shumë”, u shpreh Bekteshi.
Ai komentoi edhe mundësinë që ky propozim të shihet si një formë presioni ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar një skenar të tillë si të pabazuar.
“Por, ka dhe të atillë që mendojnë se propozimi i Haradinajt mund të jetë një presion mbi gjykatën i ngjashëm me deklaratat se Kosova do të kallë nëse dënohen luftëtarët e lirisë. Por këto hamendësime nuk janë të qëndrueshme, sepse gjykata s’mund të ndikohet nga këto kërcënime mendjelehta dhe nuk ka mundësi që çlirimtari të kallë vendin e tij, që për ideal hyri në luftë edhe për t’u flijuar për liri e atdhe; atë mund ta bëjnë vetëm shërbëtorët e armikut.
Mendoj se propozimi i Haradinajt është surreal, real do të ishte zgjedhja e një presidenti apolitik, konsensual dhe krijimi i organeve shtetërore dhe lënia anash e inateve dhe ambicjeve të sëmura që e çojnë vendin në kaos. Për çlirimtarët do të mjaftonte të shpallen të pafajshëm, se sa për qeverisje i kemi parë”, përmbylli Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.
