TË FUNDIT

Dhjetë të vdekur, mes tyre pesë fëmijë – pasi një veturë përfundoi në liqen në Brazil

Dhjetë persona kanë humbur jetën pasi një veturë me shumë udhëtarë doli nga rruga dhe përfundoi në një liqen, në një zonë rurale të komunës Barra Mansa, në shtetin brazilian të Rio de Janeiros.

Aksidenti ndodhi në orët e para të së dielës, pasi një kalimtar i rastit njoftoi autoritetet për një veturë të zhytur në ujë, transmeton Telegrafi.

Sipas një deklarate të qeverisë së shtetit të Rio de Janeiros, të cituar nga AFP, viktimat kishin ndërruar jetë para se të nxirreshin nga automjeti.

Autoritetet konfirmuan se në mesin e të vdekurve janë pesë të rritur dhe pesë fëmijë. Disa media braziliane raportuan se mes viktimave ishte edhe një foshnjë vajzë, ndërsa identitetet e tyre ende nuk janë bërë publike.

Ekipet e emergjencës u dërguan në vendin e ngjarjes, ku zjarrfikësit, me ndihmën e dy zhytësve, arritën të nxirrnin trupat nga vetura e fundosur.

Autoritetet lokale e kanë cilësuar ngjarjen si aksident, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat. Sipas mediumit G1, i cili citon një familjar, të dhjetë viktimat i përkisnin së njëjtës familje.

Rajoni i Rio de Janeiros u përfshi nga reshje të dendura shiu të shtunën, të cilat shkaktuan përmbytje në disa rrugë, përfshirë edhe zona turistike si Copacabana. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *