Dhimbja e tendinave gjatë ecjes – rëndësia e menaxhimit të ngarkesës
Dhimbja e tendinave gjatë ecjes shpesh shfaqet kur aktiviteti rritet më shpejt sesa trupi është i përgatitur ta përballojë; zgjidhja nuk është domosdoshmërisht pushimi, por menaxhimi dhe rritja graduale e ngarkesës
Rilind Shala, PT, MSc, PhD (Cand)
Fizioterapeut
Ecja është pjesë normale e aktivitetit tonë të përditshëm dhe zakonisht nuk e mendojmë si një formë të veçantë të ngarkesës fizike. Megjithatë, edhe një aktivitet kaq i zakonshëm mund të bëhet problematik kur sasia e tij ndryshon papritur. Kjo mund të ndodhë pas disa ditësh me më shumë ecje, pas kthimit në aktivitet pas një periudhe më sedentare, gjatë një udhëtimi ku kalojmë shumë më tepër kohë në këmbë, apo kur paralelisht kemi shtuar edhe aktivitete të tjera fizike.
Tendina e Akilit është një prej strukturave që mund të reagojë në këto raste. Dhimbja zakonisht ndihet prapa thembrës ose pak më lart përgjatë tendinës dhe mund të shoqërohet me ngurtësi në mëngjes apo shqetësim pas periudhave më të gjata të ecjes. Për shumë persona kjo krijon menjëherë përshtypjen se tendina është dëmtuar dhe se mënyra më e mirë për ta mbrojtur është të reduktohet sa më shumë aktiviteti. Në praktikë, situata është më komplekse.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme në mënyrën se si trajtohen tendinopatitë gjatë viteve të fundit lidhet pikërisht me kuptimin e ngarkesës. Puna e studiuesve si Peter Malliaras dhe Ebonie Rio ka vendosur shumë më tepër fokus në aftësinë e tendinës për ta toleruar ngarkesën dhe në mënyrën se si ky kapacitet mund të zhvillohet gradualisht. Qëllimi nuk është thjesht largimi i ngarkesës nga tendina, por gjetja e një niveli të përshtatshëm dhe rritja progresive e tij.
Kur ngarkesa tejkalon kapacitetin
Tendinat janë të ndërtuara për të përballuar ngarkesë. Gjatë ecjes, muskujt e pulpës gjenerojnë forcë e cila transmetohet përmes tendinës së Akilit dhe kontribuon në shtytjen e trupit përpara. Ky proces përsëritet mijëra herë gjatë një dite normale dhe, kur trupi është mësuar me këtë nivel aktiviteti, zakonisht nuk paraqet problem.
Vështirësitë mund të fillojnë kur kërkesa ndryshon më shpejt sesa aftësia e sistemit për t’u përshtatur. Një person që zakonisht bën relativisht pak hapa gjatë ditës mund të kalojë disa ditë me shumë më tepër ecje dhe të fillojë të ndiejë dhimbje. Për një person tjetër e njëjta sasi ecjeje mund të jetë krejtësisht normale, sepse është diçka që e bën rregullisht. Në këtë kuptim, nuk është vetëm aktiviteti që ka rëndësi, por raporti ndërmjet aktivitetit dhe kapacitetit individual.
Kjo është edhe arsyeja pse është vështirë të përcaktohet një numër i caktuar hapash që konsiderohet “i tepërt”. Dhjetë mijë hapa mund të jenë një ditë e zakonshme për dikë që është fizikisht aktiv, ndërsa për një person tjetër mund të përfaqësojnë një rritje të madhe krahasuar me aktivitetin e tij të zakonshëm. Tendina nuk reagon ndaj një numri të caktuar në telefon apo orë inteligjente; ajo reagon ndaj kërkesës mekanike që i vendoset dhe ndaj faktit nëse është apo jo e përgatitur për të.
Një aspekt tjetër që duhet marrë parasysh është se ngarkesa gjatë ecjes nuk përcaktohet vetëm nga distanca. Ritmi i ecjes, terreni, pjerrësia dhe koha e kaluar pa pushim mund të ndryshojnë ndjeshëm kërkesën mbi tendinën. Për këtë arsye, një person mund të bëjë afërsisht të njëjtin numër hapash si zakonisht, por të ketë një javë shumë më të ngarkuar nëse ecja është bërë më e shpejtë, në terren me pjerrësi apo është kombinuar me ushtrime të tjera për pjesën e poshtme të trupit.
A duhet të ndalohet ecja kur fillon dhimbja?
Prania e dhimbjes nuk do të thotë automatikisht se aktiviteti duhet të ndërpritet plotësisht. Në të njëjtën kohë, vazhdimi i një ngarkese që vazhdimisht i përkeqëson simptomat nuk është gjithmonë zgjidhje e mirë. Menaxhimi i ngarkesës qëndron diku ndërmjet këtyre dy ekstremeve dhe duhet të përshtatet me mënyrën se si individi reagon.
Nëse një person vëren se një orë ecje e shton dukshëm dhimbjen dhe simptomat janë më të theksuara edhe të nesërmen, për një periudhë mund të ketë kuptim që koha e ecjes të reduktohet. Në vend të ndërprerjes së plotë, aktiviteti mund të ulet në një nivel që tolerohet më mirë dhe prej aty të fillojë progresi. E njëjta gjë mund të bëhet me terrenin apo ritmin; nëse ecja në pjerrësi e provokon dhimbjen, fillimisht mund të përdoren sipërfaqe më të rrafshëta dhe pjerrësia të rikthehet gradualisht.
Kjo qasje është e rëndësishme sepse pushimi mund t’i qetësojë simptomat, por nuk e rrit vetvetiu kapacitetin e tendinës. Një person mund të pushojë për disa javë, të ndiejë më pak dhimbje dhe më pas të rikthehet menjëherë në të njëjtën sasi aktiviteti që e kishte provokuar problemin. Nëse gjatë kësaj kohe kapaciteti nuk është zhvilluar, nuk është e pazakontë që simptomat të rikthehen.
Për këtë arsye, përmirësimi i dhimbjes nuk duhet të jetë i vetmi kriter që përdoret gjatë rehabilitimit. Po aq e rëndësishme është të shihet nëse personi po bëhet gradualisht më i aftë të ecë, të qëndrojë në këmbë dhe të përballojë ngarkesa më të mëdha pa pasur një reagim të konsiderueshëm pas tyre.
Rritja progresive e ngarkesës
Koncepti i “progressive overload” zakonisht lidhet me ushtrimet në palestër, por parimi është po aq i rëndësishëm edhe në rehabilitimin e tendinave. Trupi përshtatet me atë që i kërkojmë, me kusht që kërkesa të jetë e mjaftueshme për të nxitur adaptim, por jo vazhdimisht shumë më e madhe se kapaciteti aktual.
Nëse një person aktualisht toleron 20 apo 30 minuta ecje pa një përkeqësim të konsiderueshëm të simptomave, ky mund të jetë një pikënisje e arsyeshme. Me kalimin e kohës, ecja mund të zgjatet gradualisht. Më vonë mund të rritet ritmi, të shtohen pjerrësitë ose të rikthehen aktivitete të tjera që kërkojnë më shumë nga tendina. Nuk është e nevojshme që progresi të ndjekë një formulë të njëjtë për çdo person, sepse reagimi ndaj ngarkesës ndryshon.
E njëjta logjikë vlen edhe për ushtrimet. Në fazat fillestare mund të përdoren ushtrime që mund të realizohen me një nivel të kontrolluar të ngarkesës dhe më pas rezistenca të rritet gradualisht. Për tendinën e Akilit, kjo zakonisht përfshin zhvillimin e forcës së muskujve të pulpës dhe progresionin nga ngarkesa më të thjeshta drejt atyre që i afrohen kërkesave reale të aktivitetit.
Për shumë vite ushtrimet ekscentrike kanë qenë pothuajse sinonim me rehabilitimin e tendinopative. Megjithatë, literatura e udhëhequr edhe nga puna e Malliaras ka treguar se nuk ka arsye që fokusi të vendoset vetëm në një lloj kontraksioni muskulor. Ushtrimet koncentrike dhe ekscentrike, kontraksionet izometrike dhe format e ndryshme të ushtrimeve me rezistencë mund të përdoren varësisht nga individi. Më e rëndësishme sesa emri i ushtrimit është që ngarkesa të jetë e përshtatshme dhe të rritet me kalimin e kohës.
Kjo ka rëndësi edhe sepse një ushtrim që është sfidues në fillim, pas disa javësh mund të mos përfaqësojë më një stimul të mjaftueshëm. Nëse ngarkesa mbetet vazhdimisht e njëjtë, edhe arsyeja që sistemi të vazhdojë të adaptohet bëhet më e vogël. Prandaj progresi duhet të jetë pjesë e planit që nga fillimi, jo diçka që shtohet vetëm pasi dhimbja të jetë zhdukur plotësisht.
Dhimbja gjatë ushtrimeve nuk tregon domosdoshmërisht dëmtim
Një nga çështjet që krijon më shumë pasiguri është prania e dhimbjes gjatë aktivitetit. Shpesh ekziston bindja se çdo ushtrim apo ecje duhet të jetë plotësisht pa dhimbje, përndryshe tendina po dëmtohet më tej. Marrëdhënia ndërmjet dhimbjes dhe dëmtimit të indeve nuk është kaq e drejtpërdrejtë, veçanërisht tek simptomat që kanë zgjatur për një kohë më të gjatë.
Në praktikë, rëndësi ka jo vetëm ajo që ndodh gjatë aktivitetit, por edhe reagimi në orët dhe ditën që pasojnë. Një nivel i lehtë dhe i tolerueshëm i simptomave gjatë ecjes mund të jetë i pranueshëm nëse ato stabilizohen pas aktivitetit dhe nuk ka një përkeqësim të vazhdueshëm. Nëse, në anën tjetër, çdo rritje e aktivitetit shoqërohet me dhimbje dukshëm më të madhe dhe ngurtësi të shtuar të nesërmen, kjo mund të jetë shenjë se rritja e ngarkesës ka qenë më e shpejtë sesa tendina mund ta tolerojë.
Kjo është arsyeja pse reagimi i tendinës nga dita në ditë mund të jetë më i dobishëm sesa përqendrimi vetëm në një numër të dhimbjes gjatë ushtrimit. Rehabilitimi nuk ecën gjithmonë në mënyrë lineare dhe një ditë me më shumë simptoma nuk nënkupton domosdoshmërisht se ka ndodhur një dëmtim i ri. Në shumë raste kërkohet vetëm një rregullim i ngarkesës dhe vazhdim i progresit në një ritëm më të përshtatshëm.
Kapaciteti duhet të përputhet me aktivitetin
Ushtrimet e forcës janë të rëndësishme, por vetëm rritja e forcës në një ambient të kontrolluar nuk është gjithmonë e mjaftueshme. Tendina duhet gradualisht të përgatitet edhe për aktivitetin që personi synon të bëjë në jetën reale. Nëse qëllimi është të ecë për një orë, atëherë koha e ecjes duhet gradualisht të afrohet drejt këtij niveli. Nëse qëllimi është ecja në mal, në një fazë duhet të rikthehen edhe pjerrësitë. Për një person që dëshiron të kthehet në vrapim, kërkesat do të jenë përsëri më të mëdha.
Kjo qasje është në përputhje me parimin se rehabilitimi duhet të zhvillojë tolerancën ndaj ngarkesës së tendinës, muskujve dhe të gjithë sistemit muskuloskeletor. Një program nuk duhet të përfundojë në momentin kur dhimbja zvogëlohet, por kur individi ka krijuar kapacitet të mjaftueshëm për aktivitetet që dëshiron të kryejë.
Në këtë drejtim nuk ka domosdoshmërisht nevojë për një tendinë “perfekte”. Edhe ndryshimet strukturore të vërejtura në imazheri nuk lidhen gjithmonë drejtpërdrejt me nivelin e dhimbjes apo aftësinë funksionale. Për personin që kërkon të kthehet në aktivitet, është shumë më e rëndësishme nëse toleranca ndaj ngarkesës po rritet dhe nëse aktivitetet që më parë shkaktonin problem po bëhen gradualisht më të lehta.
Kur duhet kërkuar vlerësim i mëtejshëm?
Jo çdo dhimbje në zonën e një tendine është tendinopati. Një dhimbje e fortë dhe e menjëhershme gjatë aktivitetit, sidomos kur shoqërohet me humbje të menjëhershme të forcës, vështirësi për t’u ngritur në gishta apo ndjesinë e një goditjeje në pjesën e pasme të këmbës, kërkon vlerësim klinik për të përjashtuar një dëmtim akut si ruptura e tendinës.
Kjo duhet dalluar nga tendinopatia, ku simptomat më shpesh zhvillohen gradualisht dhe lidhen me ngarkesën. Historia tipike mund të përfshijë një periudhë me aktivitet më të madh, shtim të ecjes apo ndryshim të kërkesave fizike, pas së cilës tendina fillon të bëhet progresivisht më e ndjeshme.
Në shumicën e këtyre rasteve qëllimi nuk është eliminimi i çdo forme të ngarkesës. Përkundrazi, sfida është të përcaktohet se sa ngarkesë mund të tolerohet në atë moment dhe si mund të rritet ajo në mënyrë graduale.
Në përfundim, dhimbja e tendinave gjatë ecjes nuk duhet parë automatikisht si shenjë se ecja po e dëmton më tej tendinën. Tendinat kanë nevojë për ngarkesë dhe janë të afta të përshtaten me të, por ky adaptim kërkon kohë. Kur kërkesa rritet shumë shpejt, mund të krijohet një hendek ndërmjet asaj që tendina duhet të përballojë dhe asaj që aktualisht është e aftë të përballojë.
Pikërisht për këtë arsye, menaxhimi i ngarkesës dhe rritja progresive e saj janë ndër elementet kryesore të rehabilitimit. Qëllimi nuk është që personi të ecë sa më pak për të mbrojtur tendinën, por që gradualisht të krijojë kapacitetin për të ecur më shumë pa pasur kufizime. Kjo qasje, e mbështetur në punën e Ebonie Rio, Peter Malliaras dhe studiuesve të tjerë të fushës, e zhvendos fokusin nga frika ndaj ngarkesës drejt përgatitjes së tendinës për ta përballuar atë. /Telegrafi/
