Dhelpra që u bë “tifozja” e një ekipi në Zvicër, vritet nga roja e faunës së egër
Dhelpra që ishte kthyer në një lloj maskote për një ekip futbolli në kantonin Jura të Zvicrës, është vrarë nga një rojtar i faunës së egër, pasi shfaqej vazhdimisht në fushën e lojës dhe kishte ngritur shqetësime për sigurinë. E ky rast, ka nxitur reagime dhe është paraqitur një kallëzim në prokurori. Dhelpra ishte bërë e njohur në mesin e lojtarëve dhe tifozëve të FC Clos du Doubs, në Saint-Ursanne, pasi shfaqej shpesh në fushën e futbollit, madje edhe gjatë ndeshjeve. Më 15 shtator, kafsha hyri në fushë gjatë një ndeshjeje të kupës kundër FC Glovelier, duke bërë që gjyqtari ta ndërpriste përkohësisht takimin. Pamjet e incidentit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, duke e kthyer dhelprën në një personazh të njohur në rajon, shkruan 20Minuten , transmeton Telegrafi. Sipas përgjegjësit të fushës, dhelpra afrohej shumë pranë njerëzve dhe kishte filluar të luante me topat dhe pajisjet sportive. Ajo madje kishte hyrë edhe në lokalin e vogël të klubit përmes derës së hapur. Klubi kishte shprehur shqetësim edhe për sigurinë e rreth 60 fëmijëve që stërviten çdo të mërkurë në atë fushë. Sipas rojtarit të faunës së egër, dhelpra kishte kapur pula në afërsi të banesave. Ai vlerësoi se kapja dhe zhvendosja e saj nuk do ta zgjidhte problemin, ndaj vendosi ta qëllonte për vdekje. I revoltuar me veprimin e tij, Raoul Jaeggi, ish-deputet në parlamentin kantonal të Jura-s dhe personi që kishte filmuar dhelprën në fushë, ka paraqitur kallëzim në prokurorinë e kantonit, duke kërkuar që të shqyrtohen rrethanat e vrasjes së kafshës. Ai ka vënë në pikëpyetje vendimin për ta vrarë dhelprën, duke argumentuar se mund të shqyrtoheshin edhe alternativa të tjera, si kapja e saj. Autoritetet pritet të shqyrtojnë rrethanat e rastit dhe vendimin e marrë për eliminimin e kafshës. /Telegrafi/
