Deputetet e VLEN-it, Mimoza Musa dhe Feride Haxhiu solidarizohen me studentët në Tiranë
Dy deputetet e VLEN-it në Maqedoninë e Veriut, Mimoza Musa dhe Feride Haxhiu janë shprehur hapur në mbrojtje të studentëve shqiptarë, duke dënuar çdo formë presioni e dhune ndaj të drejtës bazë për të protestuar.
Deputetja dhe nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa ka theksuar se studentët janë e ardhmja dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet, shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe dinjiteti i tyre të respektohet.
“Tirana sonte na sjell pamje që dhembin… 💔 Është e vështirë të shohësh të rinj, studentë me ëndrra dhe shpresa, të përballen me dhunën teksa kërkojnë të drejtat e tyre. Pas secilit prej tyre qëndron një familje që i ka rritur me dashuri, me sakrifica dhe me shpresën për një të ardhme më të mirë. Asnjë prind nuk duhet të ketë frikë për fëmijën e tij vetëm sepse ai ngre zërin. Asnjë student nuk duhet të ndiejë pasiguri kur kërkon të drejtat e tij. Studentët janë e ardhmja jonë. Zëri i tyre duhet të dëgjohet, shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe dinjiteti i tyre të respektohet. Institucionet kanë përgjegjësi të garantojnë sigurinë e tyre dhe të reagojnë me përgjegjësi. Sot, më shumë se kurrë, studentët kanë nevojë për solidaritetin tonë. Sepse të mbrosh të rinjtë do të thotë të mbrosh shpresën, dinjitetin dhe të ardhmen e një shoqërie. Asnjë ëndërr e një të riu nuk duhet të përballet me dhunën. Asnjë zë nuk duhet të heshtet nga frika. Solidaritet me studentët e Shqipërisë! 🇦🇱❤️”, shkroi deputetja Mimoza Musa.
Ndërsa me një mesazh përkrah ka dal edhe deputetja Feride Haxhiu, e cila ka shkruar: “Tirana sonte na dhemb të gjithëve! Të rinjtë nuk janë armiq të shtetit! Janë fëmijët e vendit, janë e ardhmja e tij! Me studentët, me rininë, me të drejtën për të ngritur zërin! Dhunës nuk i thuhet po, padrejtësisë nuk i heshtet! ♥️🇦🇱”, shkroi deputetja Feride Haxhiu. Edhe eksponentë tjerë të VLEN janë shprehur në mbështetje të studentëve në Tiranë dhe vendbanimet tjera në Shqipëri. (INA)
