Demokratët tani do të hakmerren ndaj Trumpit dhe sojit të tij
Ka të ngjarë që një president i frustruar, në fund të mandatit dhe pa perspektivë rizgjedhjeje, t’u drejtohet çështjeve ndërkombëtare – përfshirë sulmet e reja ndaj Iranit – për të mbetur i rëndësishëm.
Nga: John Bolton / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Një ditë pas zgjedhjeve të ndërmjetme amerikane të vitit 2006, George W. Bush tha në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se rezultati për republikanët “ishte goditje e rëndë”. Si kreu i partisë, ai shtoi: “Mbaj një pjesë të madhe të përgjegjësisë”. Bushi u tha udhëheqësve të legjislativit, demokratë e republikanë, se mezi priste të gjente gjuhë të përbashkët me ta gjatë dy viteve të ardhshme. Shumë pak nga kjo do të ndodhë në Uashingtonin e Donald Trumpit pas rezultateve të vitit 2026.
Trumpi tha vazhdimisht gjatë fushatës: “Ju lus, shtiruni kinse jam unë në fletën e votimit”. Siç pritej, Trumpi donte referendum për Trumpin. Votuesit nga i gjithë spektri politik e kapën për fjale dhe tani ai, si dhe republikanët gjithnjë e më të zhgënjyer prej tij, do ta paguajnë çmimin, duke qenë të paaftë që t’i shpëtojnë dëmit që ai ia ka shkaktuar partisë dhe kombit.
Por, Trumpi nuk do ta pranojë përgjegjësinë; ai do t’ua drejtojë gishtin të tjerëve për humbjen. Përgjigjja e tij më e rëndësishme ndërkombëtare mund të vijë në formën e sulmeve të ripërtërira ndaj Iranit – me gjasë përsëri në bashkëpunim me Izraelin, në ditët në vijim, tani që qendrat e votimit janë mbyllur. Çfarëdo qofshin argumentet strategjike për rifillimin e sulmeve – dhe ka arsye të fuqishme për ta bërë këtë – faktori që do ta nxisë vendimin e Trumpit do të jetë dëshira për të treguar se ai është ende “i rëndësishëm”, siç e karakterizoi dikur Bill Clinton administratën e vet të lënduar në vitin 1994.
Përtej bujës së mundshme të menjëhershme rreth Iranit – teksa demokratët marrin kontrollin e plotë të degës legjislative – dy vitet e ardhshme në Uashington do të jenë të mbushura me partishmëri të skajshme. Demokratët kanë planifikuar se si do ta përdorin kontrollin e tyre të ri mbi Kongresin, duke shfrytëzuar të gjitha komisionet – të cilët së shpejti do t’i kontrollojnë.
Seanca të pafundme të Kongresit do të shqyrtojnë me detaje të gjitha aspektet e dekadës së fundit të Trumpit – jo vetëm dy vitet e mëparshme, por edhe mandatin e tij të parë dhe periudhën e ndërmjetme në Mar-a-Lago. Çdo komision, brenda fushës së juridiksionit të vet, do t’i zbërthejë veprimet e Trumpit duke kërkuar gabime ose edhe vetëm turpërime politike.
Demokratët përballen edhe me rreziqet e veta. Përgjigjja e mundshme e Trumpit është rezistencë e hapur, gjë që thjesht do t’i përkeqësojë përplasjet politike. Është krejtësisht e mundur që spektakli që do të pasojë do t’i shtyjë edhe më shumë amerikanët që të largohen me neveri nga politika, duke e dëmtuar më tej besimin qytetar te qeveria e tyre.
Shumë çështje nga hetimet do të përqendrohen te funksionimi i qeverisë – një material magjepsës për banorët e Uashingtonit, por i mërzitshëm për njerëzit e zakonshëm në mbarë vendin. Megjithatë, një grup çështjesh do të depërtojë pa dyshim te publiku – konkretisht akuzat në rritje për korrupsion personal, pasurim vetjak, konflikte interesi dhe shkelje etike.
Në të vërtetë, sondazhet aktuale tregojnë se moria e çështjeve të “korrupsionit” ishte në mendjen e votuesve para 3 nëntorit. Nëse demokratët arrijnë të qëndrojnë në një rrugë të qëndrueshme, të mbështetur në prova – gjë që perceptohet si e drejtë dhe jo si gjueti shtrigash – ata mund t’i shkaktojnë dëm të konsiderueshëm Trumpit dhe sojit të tij. Natyrisht, duke pasur parasysh natyrën në thelb politike të të gjitha këtyre hetimeve, kjo mund të kërkojë nga demokratët më shumë nga ajo që janë në gjendje të bëjnë.
Shkarkimi i kërkuar i Trumpit [impeachment] për herë të tretë, të katërt e kështu me radhë është pa dyshim në mendjen e shumë demokratëve. Do të bënin mirë t’i qëndronin larg shkarkimit, i cili gjatë mandatit të parë vështirë se e pengoi ose e kufizoi Trumpin. Përkundrazi, saga e shkarkimit e trimëroi dhe i dha mundësi të bënte edhe më keq.
Pavarësisht këtij precedenti historik, demokratët me gjasë nuk do të jenë në gjendje ta përmbajnë veten. Ata do të arsyetojnë se, meqë është pothuajse e sigurt që Trumpi do të falë nga dënimi “këdo që i ka kaluar pranë Zyrës Ovale”, përfshirë edhe veten e tij, Kongresi është i detyruar të përdorë me forcë të drejtën e tij për ta shkarkuar atë – pasi Kushtetuta ia ndalon presidentit të falë dënimet që vijnë nga procedurat e shkarkimit. Kushtetuta e parashikon shkarkimin për “tradhti, ryshfet ose krime dhe kundërvajtje të tjera të rënda”, formulim që lë hapësirë të madhe për faktorët politikët të cilët janë që të gjithë të pranishëm këtu.
Përkrahësit e shkarkimit mbeten me pak gjasa të arrijnë shumicën prej dy të tretash në Senat – pragu që kërkon Kushtetuta për ta shpallur Trumpin fajtor. Anëtarët e kabinetit të tij dhe zyrtarët e rangut më të ulët mund të mos jenë aq me fat. Edhe anëtarët e familjes Trump, të cilët në dukje nuk mbajnë asnjë post qeveritar, do të jenë në shënjestër.
Cenueshmëria e zyrtarëve sigurisht do të shtrihet edhe përtej çështjeve të korrupsionit – siç mund ta mësojë shumë shpejt sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tashmë objekt i kërcënimeve të demokratëve për shkarkim. Të gjithë ata që do të përfshihen nga trazira e shkarkimit do të përballen jo vetëm me rrezikun e largimit nga detyra, por edhe me nevojën për të shpenzuar kohën, energjinë, vëmendjen dhe burimet personale për shërbimet ligjore që mund t’u nevojiten. Përplasja do të jetë brutale.
Por, çfarë ndodh me politikën e nivelit të lartë, punët e shtetit, luftën dhe paqen? Pa dyshim, çështjet e politikave do të luajnë rol në vëllavrasjen politike që është gati të nisë. Megjithatë, sidomos në çështjet e jashtme, pushteti i presidentit është mbizotërues sipas Kushtetutës dhe kufizohet kryesisht nga pushteti i Kongresit mbi financat. Kjo nuk do të ndryshojë, sado i dobësuar politikisht të bëhet Trumpi.
Në të vërtetë, presidentët e frustruar në fund të mandatit shpesh u drejtohen më shumë çështjeve ndërkombëtare, botës jashtë Uashingtonit, për t’i shpëtuar kështu mundimit të politikës së brendshme. Mendoni vetëm se sa shumë nga gjeografia e botës mbetet ende për t’u riemërtuar. /Telegrafi/
