TË FUNDIT

Demo: 51 efektivë të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës në Tiranë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, ka bërë të ditur se 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së regjistruara në Tiranë.

Përmes një postimi në Facebook, Demo ka njoftuar se disa prej efektivëve të lënduar ndodhen në Spitalin Universitar të Traumës, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Ai ka dënuar dhunën ndaj policisë, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si justifikim për sulmet ndaj punonjësve që kanë për detyrë ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj”, ka shkruar Demo.

Ministri ka shprehur mirënjohje për efektivët që, sipas tij, kanë vazhduar të kryejnë detyrën përballë dhunës dhe rrezikut, duke u uruar shërim të shpejtë të gjithë punonjësve të lënduar.

“Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.

Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar. Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja.

Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *