TË FUNDIT

Clinton kritikon takimin e Trumpit me Putinin dhe Xi Jinpingun

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka kritikuar takimin trepalësh të presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë rus, Vladimir Putin, duke paralajmëruar se një takim i tillë mund të dobësojë pozitën e Shteteve të Bashkuara.

Sipas Clintonit, ky takim do t’u jepte Putinit dhe Xi-së më shumë ndikim mbi Trumpin, ndërsa nuk do të kontribuonte as në zgjidhjen e çështjeve që lidhen me eksportet e teknologjisë amerikane drejt Kinës dhe as në mbështetjen e Ukrainës.

Ajo e ka cilësuar si shqetësues edhe faktin që Kina po shërben si bazë prodhuese për Rusinë në fushën e teknologjive të avancuara, duke theksuar se kjo e bën edhe më të vështirë ndihmën për Ukrainën.

Në një kritikë të ashpër ndaj presidentit amerikan, Clinton tha se Xi Jinping dhe Vladimir Putin po e manipulojnë Trumpin sipas interesave të tyre.

“Xi Jinping dhe Vladimir Putin e luajnë Trumpin si një fëmijë që i bie kitarës. Kjo është patetike”, deklaroi ajo.

Takimi trepalësh i liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë pritet të zhvillohet në margjinat e samitit të APEC-ut në Shenzhen të Kinës, më 19 nëntor. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *