Cilat vlejnë më shumë: fronet e pushtetit apo interesat e shtetit…!?
Qysh kur u kuptua se Vjosa Osmani do ta humbte fronin e presidentes vetëm për mendt e saj të kresë, për takimet e fshehta me Edi Ramën, Richard Grenellin, Vulinin, Gjuriçin… dhe nga “dehja” gjatë periudhës së presidentllëkut prej vlerësimeve dhe epiteteve me superlativa, ajo la të kuptohej lehtësisht se për një mandat tjetër si presidente, nuk do të ndalej as para çdo pazari të pistë e të rrezikshëm partiak, politik e moral, të pas kulisave, ndaj shtetit dhe integritetit të Kosovës!
Me sa kuptohet, edhe për atë, si për shumicën e figurave kryesore drejtuese të partive të opozitës, mandatet e deputetit dhe fronet e pushtetit vlejnë më shumë se interesat, sovraniteti, integriteti, përparimi dhe konsolidimi me ritme gjithnjë e më të shpejta dhe i pandalshëm i SHTETIT dhe vendit!?
Për të larguar Albin Kurtin me shokë e shoqe e për të rikthyer në Presidencë e Qeveri Vjosa Osmanin me tufën e shokëve e të shoqeve të saj, e vetmja mënyrë e shpresë për liderët e partive të opozitës në Kosovë e të Listës Serbe, kuptueshëm edhe për Vuçiçin në Beograd, është që zgjedhjet e 7 qershorit të bëhen si në Shqipërinë e Edi Ramës e të “kukullës” së tij, Ilirian Celibashit, domethënë si pazar për shitje, blerje e vjedhje votash dhe mandatesh…!?
Kështu, me mendt dhe duart e veta, por shtyrë bujarisht edhe nga Beogradi, Tirana, Ali Ahmeti në Shkup…, shumica e liderëve opozitarë në Kosovë, përfshirë edhe Vjosa Osmanin, po shkojnë pandalshëm drejt vetëvrasjes politike e morale!
Edhe për të hyrë në histori si tregtarë “kontrabandistë” të copave shumë të çmuara dhe të interesave jetike ekonomike, politike, gjeostrategjike të Kosovës!
Për këto veprime të papërgjegjshme e të pafalshme, sidomos në Veri të Mitrovicës, koha dhe KOSOVA do t’i ndëshkojë rëndë më 7 qershor e më pas, nga dita në ditë e nga viti në vit.
Jam i bindur se shumica e zgjedhësve SHQIPTARË në Kosovë më 7 qershor do të votojnë për LVV dhe Albin Kurtin me shokë e shoqe. Sepse, në mandatin e parë, jo pa sakrifica, rreziqe, vështirësi…, ia rrëmbyen Aleksandar Vuçiçit nga duart “tabakanë” e madhe, me copa harte dhe interesa shtetërore KOSOVE, dhuruar atij prej pushtetarëve të partive të opozitës, që kërkojnë të rikthehen në pushtet për të vazhduar të njëjtin pazar të pistë dhe adet!
Në mënyrë figurative, më 7 qershor 2026, shumica e votuesve do t’u thonë Lumir Abdixhikut, Vjosa Osmanit, Bedri Hamzës dhe Vlora Çitakut, Ramush Haradinajt, me shokët e shoqet përreth: “Hipni në Brezovicë ose në majë të Korabit, me pa Novi dvorin, në qendrën e Beogradit..!”
Huazuar nga një shkrim i kolegut Agim Bahtiri më 16 maj, po kujtojmë vetëm disa nga këto “dhurata”, më shumë për të freskuar kujtesën “me dozë të fortë skleroze” të disa turmave me thaçistë, mustafaistë, haradinajistë, hotistë… ose shkurt, opozitaristë.
Deri më 2020 në Veriun e Kosovës, kryesisht të Mitrovicës, ligjin e bënin strukturat paralele jolegale të serbëve, të mbështetura me të gjitha rrugët, format, mënyrat nga vëllezërit e tyre në Serbi, nënkuptohet, me urdhër e miratim nga shteti dhe qeveria në Beograd. Domethënë, nga Vuçiç, Brnabiç, Daçiç, Vulin, Gjuriç, Radojçiç…
Deri më 2020 e ca më vonë, në qyteza e fshatra të Veriut të Kosovës, ekzistonin dhe vepronin, thuajse në liri e pa u penguar, 132 grupe ilegale; 29 rrugë ilegale për kontrabandë dhe hyrje të grupeve kriminale nga Serbia; disa laboratorë të kriptovalutave, që vidhnin energjinë dhe dëmtonin shtetin e Kosovës; sisteme ilegale të kamerave dhe alarmeve, që kontrolloheshin nga strukturat e Beogradit.
Gjithashtu, ishin të pranishme dhe vepruese formacione ilegale, që guxuan të mendonin dhe organizonin sulmet terroriste në Banjskë, në kanalin e Iber-Lepencit?
Nëpër rrugët e Veriut dhe përtej tyre, në brendësi të komunave me shumicë serbe të Kosovës, politikanët dhe pushtetarët serbë ndjeheshin dhe vepronin si zotër edhe në Liqenin e Ujmanit e përgjithësisht në Mitrovicën e Veriut.
Njëkohësisht, të plotpushtetshëm edhe për uzurpimin e dhunshëm të pronave të shqiptarëve e për dëbimin e tyre nga ato komuna?! Edhe për t’i bërë zgjedhjet për pushtetin qendror e komunal dhe për t’i nxjerrë rezultatet dhe fituesit, siç dëshironin ata…
LDK dhe PDK dhe partijëzat në koalicion qeverisës me ato, meritojnë vlerësime edhe nga serbët në Kosovë, në Serbi dhe në diasporën serbe për vënien prej disa vitesh në prag miratimi, në bisedimet mes qeverive të Serbisë e të Kosovës, të Marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Siç dihet, për herë të parë kjo marrëveshje me rrjedhoja të rrezikshme për integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës është nënshkruar më 19 prill 2013, nga Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi, atëherë në postin e kryeministrit.
Plus kësaj, këto parti kanë votuar për miratimin e Gjykatës Speciale, duke kontribuar kështu edhe për burgosjen mbi 5-vjeçare në Burgun e Hagës të disave prej figurave qendrore të UÇK-së, të qeverisjes dhe të shtetit në Kosovë!?
Paradoksalisht apo paturpësisht, drejtuesit e sotëm të këtyre partive tepër bujare me “Listën Serbe” dhe me qeveritë e Serbisë, kanë kurajën apo hipokrizinë e pafre t’i reklamojnë vetet si “shqiptarë të mëdhenj” dhe ta akuzojnë Albin Kurtin, kundërshtarin, bllokuesin dhe anuluesin e këtyre favoreve për Serbinë, si “agjent serb”?!
Kjo periudhë apo ky proces serbizimi në komunat e Veriut të Kosovës ka marrë fund gjatë 5 viteve të qeverisjes nga LVV-Albin Kurti. Sot Veriu nuk kontrollohet më nga bandat serbe, por nga institucionet e ligjshme dhe demokratike të qeverisë e të shtetit të Kosovës.
Pra, qeverisja LVV-Albin Kurti ia shkatërroi Vuçiçit një skenar të ri në kuadër të zbatimit të një projekti shekullor në Veri të Kosovës; i riktheu shtetit të Kosovës integritetin, sovranitetin dhe normalitetin në Veri.
Nga shumëkush SHQIPTAR me zemër, gjak, vepra, mund të bëhet logjikshëm një pyetje SHQIP për liderët dhe tufat e pakta të deputetëve të partive shqiptare të opozitës në Kosovë:
A ndjeni sado pak turp, faj, përgjegjësi, vrasje në ndërgjegje në vetvete, para njerëzve të familjeve tuaja, para anëtarësive dhe votuesve të partive tuaja për këto gjëma që i bëtë për 22 vjet Shtetit dhe Popullit të Kosovës apo për këtë “shportë të madhe me dhurata”, që i bëtë Serbisë së Tadiçit, Vuçiçit, Brnabiçit, Daçiçit, Vulinit, Gjuriçit…???
Merret me mend se ky ndryshim rrënjësor e thuajse tërësor faktik e juridik i realitetit në Veri të Kosovës është përjetuar me hidhërim dhe zemërim të madh tek liderët e serbëve në Kosovë e tek Vuçiçi dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë edhe miq të tij në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Podgoricë, Moskë, Minsk…
Së pari, këto u shprehën me shpërthimin e urrejtjes dhe të sulmeve me shpifje nga më të ulëtat e të pabesueshmet ndaj Albin Kurtit, njeriut që brenda një periudhe të shkurtër u shkaktoi gjëma kaq të shumta e të mëdha.
Siç ka deklaruar edhe Gjuriç, u vunë në dispozicion të qëllimit për largimin nga pushteti të tij edhe qindra milionë euro, për të çuar zgjedhësit në Kosovë tri herë në kutitë e votimit, kur një herë i kushton buxhetit të shtetit rreth 10 milionë euro.
Merret me mend se dhjetëra milionë euro u futën në rrugë e forma të fshehta në Kosovë edhe për të blerë sa më shumë media, shqiptarë e ndërkombëtarë, sidomos nga ata që shiten e blihen lirë për pasurim individual e familjar, për poste dhe për karrierë partiake e qeverisëse.
Në këtë kuadër e për këtë qëllim, siç ka deklaruar më 19 maj edhe në “BOTA SOT”, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka përjetuar rritje të ndjeshme presioni, kontrolli, diktati dhe të vartësisë politiko-financiare nga Beogradi qeveritar, edhe “Lista Serbe”!
E pra, po kjo strukturë politiko-ushtarako-terroriste është në sinkron apo njëmendësi për urrejtje dhe sulme ndaj LVV-Albin Kurtit edhe me shumicën e drejtuesve të partive shqiptare të opozitës në Kosovë!?
Përputhje e rastit apo dakordësim skenari të interesave, qëllimeve, llogarive të përafërta apo të njëjta…?
Disa enveristë nëpër kryesitë e partive kryesore të opozitës në Kosovë arrijnë deri aty sa të kopjojnë idhullin e tyre, Enver Hoxhën…
Siç dihet, duke qenë vetë kryeagjenti i Titos në Shqipëri, Enveri akuzonte ata që kishte planifikuar t’i eliminonte, kryesisht superiorë ndaj tij për nga niveli arsimor e kulturor, si “agjentë jugosllavë”!?
Logjika e thjeshtë ndihmon për të pasur bindje të plotë se kjo akuzë është një sajesë e trashë kundër Albin Kurtit!
Mëkati apo krimi i tij është se për 5 vjet ka korrigjuar edhe lëshimet me erë pazari politik dhe mercenarizmi të atyre politikanëve të opozitës, që kërkojnë t’ia rrëmbejnë pushtetin politik dhe qeverisës, edhe në forma të pandershme, të pista, të dënueshme…
Absurditeti, tendencioziteti, keqdashja dhe ligësia e disa liderëve dhe mbështetësve mediatikë të opozitës arrijnë deri aty sa të keqinterpretojnë edhe vendimin e qeverisë Kurti, tradicional çdo vit në muajin maj, në kuadër të rimbursimit të inflacionit, për të dhënë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, punonjësit e sektorit privat me paga nën 1000 euro në muaj, për studentët aktivë.
Njëkohësisht, do të ketë një paketë të veçantë për gratë lehona, duke ua bërë pagesën mujore nga 325 në 500 euro!
E pra, nga ky vendim përfitojnë jo vetëm anëtarët dhe votuesit e LVV-së, por edhe të partive të opozitës, si dhe qytetarë jopartiakë apo të pavarur!
Këta keqdashës të këtij vendimi social, me një masë të madhe përfituesish nga të gjitha partitë dhe kontingjentet e popullit, përpiqen të mashtrojnë përfituesit se “Kurti e mori këtë vendim 15 ditë para zgjedhjeve”!?
Kështu bëjnë sikur harrojnë se, për faj po të partive opozitare, brenda 15 muajve, vendi ka shkuar 3 herë në zgjedhje e ka qenë në fushata zgjedhore!?
Nëse qeveria Kurti, për të shmangur keqinterpretimin si akt me ndikim dhe interes parazgjedhor, do të hiqte dorë nga praktika e dhënies të kësaj shtese çdo maj e ta linte për janarin apo majin 2027, kështu do të humbnin vetëm përfituesit e majit 2026 të të gjitha partive, pra edhe të LDK-së, PDK-së, LVV-së…!
Ndërsa politikanët dhe deputetët që hedhin baltë e plehra edhe mbi një të mirë të përgjithshme të qeverisë Kurti, si kjo shtesë e shumëpritur dhe e mirëpritur për marrësit e saj, nuk mund të ndjehen humbës për 100, 200 apo 1.000 euro në muaj e në vit!
Sepse kaq euro për ata janë shumat e faturave në një darkë si çifte ose familjare, gjatë fundjavës, në restorantet më të famshme e më të frekuentuara të Kosovës, Maqedonisë apo në plazhet e Shqipërisë, Malit të Zi…!
