Çfarë tha Baton Haxhiu për LDK-në dhe UÇK-në? Gecaj i përgjigjet publikisht
Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka reaguar ndaj deklaratës së Baton Haxhiut se në zgjedhjet e majit 1998, shumica e qytetarëve kishin votuar për LDK-në dhe kundër UÇK-së.
Gecaj e ka cilësuar këtë si “lexim krejtësisht të shtrembëruar”, duke thënë se qytetarët kishin dalë në zgjedhje pas ftesës së Presidentit Ibrahim Rugova dhe jo për të votuar kundër UÇK-së.
Ai ka theksuar se të qenit LDK-ist nuk ka nënkuptuar asnjëherë të qenit kundër UÇK-së, duke shtuar se edhe familjarë të tij kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe se ai vetë e kishte përkrahur luftën.
Shkrimi i plotë:
NDARJEN ARTIFICIALE LDK–UÇK …
… apo mitin UÇK dhe anti-UÇK, fatkeqësisht po e dëgjojmë të artikulohet edhe sot. Këto dy organizime ishin dhe mbesin dy anë të së njëjtës medalje. Megjithatë, avazi i vjetër, i instaluar atëherë për interesa individuale e klanore, vazhdon të riciklohet edhe sot. Baton Haxhiu paska thënë mbrëmë se: “Kur janë mbajtur zgjedhjet në maj 1998, shumica e njerëzve në Kosovë kanë dalë me votu kundër UÇK-së, dhe kanë votuar për LDK-në.” Ky është një lexim krejtësisht i shtrembëruar i asaj kohe. Në vitin 1998 njerëzit nuk dolën të votojnë kundër UÇK-së, por sepse i kishte ftuar njeriu të cilit i besonte shumica dërrmuese e popullit, Presidenti Ibrahim Rugova. Figura të tilla historike popujt i nxjerrin ndoshta një herë në njëqind apo dyqind vjet.
E majta komuniste ka qenë një prej tragjedive më të mëdha politike të kombit shqiptar që nga Lufta e Dytë Botërore dhe, fatkeqësisht, hija e saj po na përcjellë deri në ditët tona. Ajo u përpoq të depërtonte edhe brenda LDK-së, për ta marrë “kalanë nga brenda,” por atëherë nuk ia arriti. Megjithatë, arriti diçka tjetër shumë të dëmshme. Mbolli dyshim, armiqësi dhe përçarje në kohën kur shqiptarëve u duhej më së shumti uniteti. Ashtu siç sot e majta ekstreme e Albin Kurtit e ndan shoqërinë në “tanët” dhe “të tjerët,” edhe atëherë u ndërtuan artificialisht kampe armiqësore. Dhe, si atëherë, edhe sot nuk mungojnë zërat mediatikë që i fryjnë këtij zjarri sa herë që përçarja u shërben interesave të caktuara.
Aktivistët e “rrugës së re,” mua dhe disa si unë, na kanë shënjuar si “garda e vjetër” e LDK-së, natyrisht në kuptim përçmues. Megjithatë, unë jam krenar që kam qenë dhe vazhdoj të jem LDK-ist tash e 37 vite. Po aq krenar jam që një plejadë e tërë familjarësh të mi kanë qenë ushtarë të UÇK-së dhe që një pjesë të madhe të aktivitetit tim të asaj kohe e kisha orientuar pikërisht në përkrahje të luftës. Sepse të jesh LDK-ist nuk ka nënkuptuar kurrë të jesh kundër UÇK-së. Këtë ndarje e shpikën ata që kishin nevojë për armiq atëherë dhe, me sa duket, vazhdojnë të kenë një nevojë të tillë edhe sot.
