TË FUNDIT

Çfarë dihet për të shtënat në Krakov, ku u vranë gjashtë persona?

Gjashtë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri në Sheshin Kryesor të Krakovit, të shtunën pasdite. Kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi ngjarjen si akt terrorizmi.

Policia njoftoi gjithashtu se në banesën e të dyshuarit janë gjetur trupat e babait të tij 53-vjeçar, nënës 52-vjeçare dhe motrës 20-vjeçare, transmeton Telegrafi.

Të shtënat ndodhën rreth orës 15:00, pasi një person i maskuar, i veshur me rroba ushtarake, hyri me veturë në sheshin e frekuentuar nga turistët dhe hapi zjarr. Njerëzit u përpoqën të largoheshin dhe të gjenin strehim në ndërtesat përreth.

Pas një shkëmbimi zjarri me policinë, i dyshuari, një shtetas polak 24-vjeçar, mbeti i plagosur, u arrestua dhe u dërgua në spital. Automjeti i tij u kontrollua për praninë e mundshme të eksplozivëve.

Gjatë operacionit, banorët e ndërtesave përreth u evakuuan, ndërsa Sheshi Kryesor dhe rrugët përreth u mbyllën.

Të dielën, Prokuroria Kombëtare e Polonisë e cilësoi sulmin si vepër terroriste dhe njoftoi se ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

I dyshuari raportohet të jetë banor i qytetit Ostrowiec Świętokrzyski, në juglindje të Polonisë.

Sipas policisë, ai nuk kishte precedentë penalë dhe nuk figuroi më parë në regjistrat policorë. Megjithatë, posedonte leje për armëmbajtje dhe dyshohet se ka përdorur një prej armëve të përfshira në atë leje.

Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, tha se sulmuesi dukej se kishte bindje “shumë radikale” dhe ishte i fascinuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, hodhi poshtë raportimet se i dyshuari kishte qenë pjesëtar i ushtrisë polake, duke theksuar se ai “nuk ka pasur kurrë asnjë lidhje me ushtrinë”.

Viktimat dhe të plagosurit

Nga sulmi mbetën të vrarë gjashtë persona, katër gra dhe dy burra. Njëri prej viktimave është identifikuar si shtetas britanik.

Në mesin e 16 të plagosurve janë edhe dy policë dhe vetë i dyshuari. Sipas autoriteteve, në mesin e të lënduarve ka shtetas nga Austria, Britania e Madhe, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.

Njëri nga policët është në gjendje të rëndë, ndërsa gjendja e tjetrit përshkruhet si jashtëzakonisht kritike. Ai ka marrë tri plagë nga arma e zjarrit.

– YouTube www.youtube.com

Ministri Kierwiński vlerësoi veprimet e policëve, duke thënë se ata u sollën në mënyrë heroike dhe përmbushën detyrën ndaj qytetarëve dhe vendit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë respekt për sakrificën e tyre.

Kryeministri Tusk bëri të ditur edhe emrat e policëve që arrestuan të dyshuarin: Jakub Kulik dhe Artur Morański. Ai i cilësoi ata si “heronj të vërtetë” dhe tha se, pavarësisht gjendjes së rëndë, po marrin trajtimin më të mirë të mundshëm.

Tri viktima të tjera u gjetën në banesën e të dyshuarit

Të shtunën në mbrëmje, autoritetet njoftuan se në shtëpinë e të dyshuarit ishin gjetur edhe tri trupa të pajetë, dy gra dhe një burrë.

Kryeministri Tusk tha se kishte shumë arsye për të besuar se bëhej fjalë për anëtarë të familjes së ngushtë të të dyshuarit.

Policia konfirmoi më vonë se viktimat ishin babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 20-vjeçare e tij. Sipas raportimeve, të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Armët e përdorura në sulm

Sipas të dhënave të policisë, i dyshuari kishte me vete një pushkë gjysmëautomatike, e ngjashme në dizajn me modelin AR-15. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se arma ishte e pajisur edhe me një pajisje optike për shënjestrim.

Ai posedonte gjithashtu një pistoletë, ndërsa policia sekuestroi një sasi të madhe armësh të tjera dhe municioni në veturën e tij.

Polonia shpall dy ditë zie kombëtare

Në Poloni është shpallur dy ditë zie kombëtare, e cila nisi në mesnatën e së dielës. Gjatë kësaj periudhe, flamujt kombëtarë do të qëndrojnë në gjysmështizë.

Ueb-faqet kanë vendosur shirita të zinj pranë logove të tyre dhe kanë ndryshuar pamjen në shenja zie. Edhe radiot dhe televizionet kanë përshtatur programet, ndërsa janë anuluar edhe aktivitete të ndryshme argëtuese. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *