POLITIKATË FUNDIT

Çështja e protezave për invalidët e luftës, flet ministri Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është deklaruar pas adresimeve të shqetësimeve pas mos-amandamentimit të buxhetit prej 1 milion eurosh për protezat e invalidëve të luftës.

Sipas Vitisë, protezat sigurohen nëpërmjet Fondit Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, e që deri tani nuk kanë evidentuar ndonjë rast me mungesë.

“Çështjet bëhen me kërkesë nga formularët shëndetësorë dhe secila kërkesë trajtohet veç e veç. Siç është trajtuar deri tani, edhe secila lëndë tjetër do të trajtohet. I bëj thirrje edhe z. Hoti që të bëjë aplikimin, nëse nuk e ka bërë ende. Nëse e ka bërë, do të shqyrtohet. Cilido qoftë kabineti ku mund të drejtohet, ne në çdo kohë do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë dhe ta sigurojmë se kjo do të ndodhë”, ka thënë Vitia.

Sipas tij, deri tani, mbulimi i tarifave ka ndodhur në një mënyrë jo plotësisht institucionale.

“Shpesh ka qenë në vullnetin e qeverive nëse do të ndanin ose jo fonde për t’i mbuluar këta persona, të cilët kanë dhënë gjithçka për vendin tonë, për t’ua mbuluar shpenzimet që i kanë pasur. Shpeshherë ata kanë hasur në vështirësi. Për këtë arsye, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, e në veçanti me Organizatën e Invalidëve të Luftës, kemi ndërtuar një sistem dhe e kemi institucionalizuar këtë proces” shtoi Vitia.

Ai u zotua se asnjë invalid i luftës, qoftë civil apo ushtar, nuk ka asnjë mundësi të mbetet pa iu përgjigjur kërkesës për subvencionimin e tij.

“Prandaj, falënderoj organizatat dhe shoqatat e dala nga lufta, e në veçanti Organizatën e Invalidëve të Luftës, e cila ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në hartimin e këtij udhëzimi administrativ që ka të bëjë me mbulimin e dëmtimeve”, deklaroi Vitia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *