TË FUNDIT

Çeku në Tiranë: Forcohet bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri në arsim

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku realizoi vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Ai u prit në takim nga Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi. Gjatë diskutimit u riafirmua bashkëpunimi i ngushtë në fushën e arsimit mes dy vendeve.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Ministri Çeku mori pjesë edhe në edicionin e katërt të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, me rreth 7000 nxënës nga 800 shkolla. Gara që u zhvillua ndërmjet dy shkollave finaliste, asaj të “Besëlidhjes” së Lezhës dhe të “Edith Durham” të Tiranës, dëshmon përgatitjen e lartë të nxënësve, dhe përkushtimin e dashurinë e tyre për gjuhën tonë amtare.

Në këtë vizitë zyrtare, u theksua shkëmbimi i përvojave dhe rëndësia e thellimit të bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta e mobilitetit në arsim, për një sistem cilësor dhe konkurrues në rajon e më gjerë.

Ministri Çeku shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe diskutimet e frytshme të Ministres Kumbaro, duke shprehur gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të këtij partneriteti të rëndësishëm.

Më 23 maj, Prishtina do të jetë nikoqire në Olimpiadën e Përbashkët të Gjuhës Shqipe, ngjarjet dhe aktivitetet e tilla veç sa do të shtohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *