TË FUNDIT

Carrick ishte i bindur se kishte rregulluar përforcimin e parë të madh në janar – por tani mbërriti një përgjigje brutale

Manchester Unitedi mund të përballet me vështirësi në përpjekjet për të përforcuar mesfushën gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi Youssouf Fofana nuk ka ndërmend të largohet nga Sevilla në mes të sezonit.

Sipas mediumit spanjoll “VamosMiSevilla”, mesfushori francez dëshiron ta respektojë marrëveshjen me klubin andaluzian dhe të qëndrojë aty deri në fund të sezonit, edhe nëse Manchester Unitedi paraqet ofertë për të.

Fofana është futbollist i Milanit, por në fillim të shtatorit u transferua te Sevilla në formë huazimi deri më 30 qershor 2027.

Marrëveshja mes dy klubeve nuk përfshin opsionin e blerjes, çka do të thotë se çdo largim i parakohshëm do të kërkonte një marrëveshje të re mes palëve.

Sipas raportimeve, drejtuesit e Manchester Unitedit kanë shfaqur interesim për mesfushorin dhe kanë kontaktuar Milanin për t'u informuar rreth mundësisë së ndërprerjes së huazimit në janar. Megjithatë, dëshira e lojtarit për të qëndruar në Spanjë mund t'i komplikojë planet e klubit anglez.

Unitedi synon të përforcohet në mesfushë, pavarësisht ndryshimeve të bëra gjatë verës. Fofana shihet si një profil që mund të luajë si mesfushor defensiv, por edhe në pozicionin e mesfushorit qendror, falë aftësive të tij fizike dhe kontributit në fazën mbrojtëse.

Në pjesën e parë të sezonit, francezi ka regjistruar një gol në pesë paraqitje kampionale me Sevillan. Paraqitjet e tij thuhet se kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Manchester Unitedit, të cilët po shqyrtojnë mundësitë për ta sjellë në “Old Trafford”.

Megjithatë, përveç marrëveshjes mes klubeve, një pengesë e rëndësishme mbetet edhe qëndrimi i vetë futbollistit. Sipas raportimeve të cituara nga “VamosMiSevilla”, Fofana nuk dëshiron të largohet në mes të sezonit dhe synon ta përmbushë marrëveshjen me klubin spanjoll.

Për këtë arsye, Manchester Unitedi mund të detyrohet të shqyrtojë alternativa të tjera për përforcimin e mesfushës gjatë afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *