Betohen ushtarët e rinj, Kurti: 515 pushkë më shumë për sigurinë
“Qeveria e Kosovës synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati. Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet prioritet”, tha kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e betimit të 515 ushtarëve të rinj të FSK-së
Kurti e quajti gjeneratën më të madhe e FSK-së që ka pasur ndonjëherë.
“Sot, këtu në kazermën ‘Adem Jashari’, në një vend ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të shënuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës. Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherazi gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë. 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes.
Të dashur ushtarë, betimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë. Betimi juaj ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë”, tha Kurti.
Ai theksoi se flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit i obligon që ta ruajnë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë.
Kurti theksoi se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe se zhvillimi i saj është obligim yni për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës/
“Për këtë arsye, rritja e forcimi i ushtrisë ka qenë dhe mbetet një prioritet i qeverisë sonë.
Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri. Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Përveç kësaj, kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin, dhe së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që ishin paraparë të arriheshin në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike. Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronët Bayraktar dhe Skyguard, ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardeve të NATO-s. Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë: t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s”, tha Kurti.
Ndërsa, komandanti i Qendrës së stërvitjes bazë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Besnik Thaçi, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, ku ushtarët e rinj do të bëjnë pjesë, është një forcë profesionale, moderne, gjithëpërfshirëse, simbol i sovranitetit, i përkushtimit ndaj vlerave demokratike dhe partner i besueshëm dhe i ndërveprueshëm me aleatët.
“Prej sot, ju do të mbani mbi supe jo vetëm uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe besimin e një populli të tërë që pret nga ne shërbim vetëmohues, profesionalizëm, etikë, disiplinë dhe përkushtim të palëkundur. Të dashur rekrutë, detyra, nderi dhe atdheu janë themelet e forcës sonë. Vlera këto që duhet t’i mbani gjithmonë në zemrën dhe mendjen tuaj, si qytetarë të ndershëm dhe ushtarakë të zotë. Para jush qëndrojnë mundësi të shumta për zhvillim profesional dhe për të përfaqësuar shtetin tonë në secilin mjedis që do të shërbeni. Një falënderim i veçantë shkon për familjet tuaja, për besimin që na kanë dhënë. Dua të falënderoj të gjithë përkushtimin e institucioneve tona për mbështetjen e dhënë për realizimin e këtij trajnimi”, tha Thaçi./KosovaPress
