TË FUNDIT

Bayern Munich frikësohet se Musiala nuk do të jetë më i njëjti, Rummenigge lëshon paralajmërimin e fortë

Karl-Heinz Rummenigge ka ngritur sërish shqetësime për të ardhmen e Jamal Musialës te Bayern Munichu, duke paralajmëruar se klubi mund të detyrohet të rishikojë aspektin financiar të kontratës së tij nëse mesfushori nuk arrin të rikthehet në nivelin e mëparshëm.

Pas barazimit 1-1 ndaj Kolnit, ish-drejtori ekzekutiv i gjigantit bavarez foli për situatën e 23-vjeçarit, i cili është rikthyer në fushë pas një lëndimi. Deklaratat e tij ishin edhe më të drejtpërdrejta se ato të Uli Hoenessit dhe Jan-Christian Dreesenit, të cilët më herët kishin shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen e futbollistit.

“Dihet që ai ka një problem shëndetësor. Po ashtu, dihet se ka një kontratë me shuma shumë të konsiderueshme. Mendoj se është e përgjegjshme dhe krejtësisht normale që një klub të duhet të mendojë se si të veprojë në një situatë të tillë”, deklaroi Rummenigge për Sky.

Drejtuesit e Bayernit duket se kanë dyshime serioze nëse Musiala do të mund të rikthehet në nivelin që e kishte para lëndimit. Përveç historikut të dëmtimeve, shqetësim paraqet edhe gjendja e tij neurologjike, e cila shkakton episode të shkurtra dhe të përkohshme të mungesës së vetëdijes, por që sipas raportimit janë të trajtueshme.

“Ajo që dimë fatkeqësisht sugjeron se do të jetë e vështirë për të që të rikthehet në nivelin që e ka treguar shpesh këtu në këtë stadium”, shtoi ish-drejtuesi i Bayernit.

Rummenigge theksoi se klubi duhet të zhvillojë bisedime me futbollistin, familjen e tij dhe përfaqësuesit, pasi shpenzimet aktuale mund të mos jenë më të përballueshme nëse Musiala nuk arrin të rikthehet në formën më të mirë.

“Duhet të flasim me lojtarin, familjen dhe mbi të gjitha me agjencinë, sepse, me gjithë respektin, ato shuma atëherë nuk janë më të përballueshme”, u shpreh ai.

I pyetur nëse Musiala mund të largohet nga Bayerni, Rummenigge u tregua më i rezervuar, duke thënë se nuk e sheh si të mundshme një skenar të tillë në rrethanat aktuale.

“Nuk mund ta imagjinoj që Jamal dëshiron të largohet nga klubi apo që ndonjë klub tjetër do ta blinte në këto rrethana. Ne jemi treguar shumë të kujdesshëm me të dhe të gjithë jemi të interesuar që ai të rikthehet në formën e tij më të mirë. Por, çfarë ndodh nëse kjo nuk ndodh? Atëherë duhet të mendojmë edhe për aspektin financiar”, deklaroi Rummenigge./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *