Barcelona ka një dirigjent të ri, Rodri po e dëshmon vlerën e tij
Mesfushori spanjoll është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së Hansi Flickut, duke imponuar ritmin e lojës dhe duke treguar cilësitë e tij si lider.
Barcelona nuk kishte planifikuar ta përforconte mesfushën gjatë afatit kalimtar të verës. Trajneri Hansi Flick dhe drejtori sportiv Deco besonin se skuadra kishte mjaftueshëm alternativa për ta përballuar sezonin. Megjithatë, në fillim të gushtit u shfaq mundësia për të transferuar Rodrin, i cili dëshironte të largohej nga Manchester City.
Në garën për shërbimet e tij ishte përfshirë edhe Real Madridi, por mesfushori spanjoll preferoi Barcelonën. Drejtuesit e klubit katalunas nisën menjëherë punën për ta realizuar transferimin, ndonëse negociatat me Manchester Cityn nuk ishin të lehta. Në fund, palët arritën marrëveshje për 60 milionë euro, plus bonuse.
Transferimi u prit me entuziazëm nga tifozët e Barcelonës, të cilët e mirëpritën lojtarin gjatë prezantimit në kuadër të Trofeut Gamper. Ata e dinin se po vinte një fitues i Topit të Artë, i aftë për t'i dhënë më shumë siguri dhe kreativitet një mesfushe që kishte shfaqur shenja dobësie, veçanërisht për shkak të lëndimeve të Frenkie de Jongut.
Pas dy muajsh garë, transferimi i Rodrit po konsiderohet një sukses. Performancat e tij kanë dëshmuar se Barcelona ka bërë një investim të rëndësishëm, ndërsa paraqitja e fundit kundër Getafes ishte një tjetër dëshmi e ndikimit të tij në lojën e skuadrës.
Rodri dominoi në mesfushë, kontrolloi ritmin e ndeshjes dhe e ndihmoi Barcelonën ta menaxhonte lojën sipas nevojave të saj. Aftësia për të shpërndarë topin dhe për të marrë vendimet e duhura në momentet e rëndësishme e ka bërë atë një pikë referimi për bashkëlojtarët.
Watch how Rodri is there whenever Barcelona are under counter attack or under pressure. It’s like Rodri smells the danger even before it happens and he is at the right place at the right time. https://t.co/bUIJqaClVm — DesmundOris (@Desmund_Oris) October 12, 2026
Statistikat e tij në pasime janë veçanërisht mbresëlënëse. Sipas të dhënave të publikuara nga Marca , Rodri ka realizuar 489 pasime të sakta, me një përqindje suksesi prej 94.5 për qind në ndeshjet e ligës. Përveç kësaj, ai kontribuon edhe në rikuperimin e topit, duke reaguar shpejt kur Barcelona e humb posedimin.
Këta numra dëshmojnë rëndësinë e tij në organizimin e lojës. Bashkëlojtarët mund të mbështeten te Rodri për ta ruajtur posedimin, për ta ndërtuar aksionin dhe për ta ndihmuar ekipin të shmangë humbjet e panevojshme të topit.
Ndikimi i Rodrit nuk kufizohet vetëm te paraqitjet në fushë. Pavarësisht se është një nga përforcimet e reja të skuadrës, ai ka fituar rol të rëndësishëm edhe në dhomën e zhveshjes.
Përvoja e tij dhe mënyra se si e lexon lojën e bëjnë një pikë referimi, veçanërisht për futbollistët e rinj, të cilët mund të përfitojnë nga puna dhe këshillat e tij. Rodri po dëshmon se mund të jetë një lider që ndihmon në rritjen e nivelit të gjithë skuadrës.
Barcelona ka objektiva të mëdha për këtë sezon, me Ligën e Kampionëve në krye të listës. Në këtë rrugëtim, përvoja dhe qetësia e Rodrit mund të jenë vendimtare për katalunasit, të cilët duket se kanë gjetur një dirigjent të ri në mesfushë. / Telegrafi /
