TË FUNDIT

Banorët e rrugës “Fazli Grajqevci” në Fushë Kosovë kërkojnë zgjidhje për problemin me kanalizimin

Banorët e rrugës “Fazli Grajqevci” në Fushë Kosovë kanë ngritur shqetësimin për problemin me kanalizimin, i cili, sipas tyre, prej disa muajsh po derdhet në rrugë, duke krijuar kushte të papërshtatshme për jetesë.

Përmes një deklarimi të publikuar nga faqja “Vrojtuesit e Lagjes – Fushë Kosovë”, një banor ka thënë se gjendja vazhdon prej muajsh dhe se banorët janë të shqetësuar për pasojat e mundshme shëndetësore.

“Ka disa muaj që jemi në këtë gjendje në rrugën ‘Fazli Grajqevci’, ku kanalizimi del në rrugë. Nuk po dimë as çfarë të bëjmë më. Kemi frikë nga ndonjë sëmundje”, ka deklaruar banori.

Ai i ka bërë thirrje Komunës së Fushë Kosovës që të ndërhyjë për zgjidhjen e problemit me kanalizimin, si dhe të realizojë asfaltimin e rrugës, në mënyrë që të përmirësohen kushtet për banorët e zonës.

Deri më tani, në materialin e publikuar nuk ka informacione për ndonjë reagim zyrtar nga Komuna e Fushë Kosovës lidhur me këtë shqetësim. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *