TË FUNDIT

Banorët e Dumnicës tërhiqen nga protestat për emërimin e imamit, por thonë se nuk pajtohen me vendimin e BIK-ut

Banorët e fshatit Dumnicë të Podujevës kanë vendosur të tërhiqen nga protestat kundër emërimit të imamit në xhaminë e re të fshatit, por kanë bërë të ditur se vazhdojnë të jenë të pakënaqur me vendimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Përmes një njoftimi publik, organizatorët e protestave, Burim Zejnullahu, Nesib Podvorica dhe Edmond Gimolli, kanë bërë të ditur se vendimi për ndërprerjen e protestave është marrë pas konsultimeve dhe shqyrtimit të rrethanave të krijuara.

Sipas tyre, një nga arsyet kryesore të këtij vendimi është vizita që pritet të realizohet këtë të premte nga donatori i xhamisë, i cili vjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ata kanë thënë se nuk dëshirojnë që protestat të bëhen pengesë për donacionet dhe mbështetjen që mund të ofrohen nga donatori edhe në të ardhmen.

Megjithatë, organizatorët kanë theksuar se tërheqja nga protestat nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit të tyre apo pajtim me vendimin e BIK-ut.

“Ne vazhdojmë të jemi thellësisht të pakënaqur me përzgjedhjen e imamit në xhaminë tonë. Konsiderojmë se është bërë një padrejtësi e madhe me mosmbajtjen e premtimit të dhënë ndaj hoxhës Fidan Musliu, që ai të emërohej imam në këtë xhami”, thuhet në njoftim, shkruan Telegrafi.

Ata kanë bërë të ditur se për ta çështja nuk përfundon me ndërprerjen e protestave, duke përsëritur se kërkesa e tyre ka qenë mbajtja e premtimit për emërimin e Fidan Musliut.

“Për ne, kjo çështje nuk përfundon me ndërprerjen e protestave. Ne e kemi shprehur pakënaqësinë tonë, kemi qëndruar në bindjet tona dhe nuk do ta harrojmë atë që e konsiderojmë padrejtësi”, kanë deklaruar organizatorët.

Në të njëjtin njoftim, ata kanë falënderuar Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe profesionalizmin gjatë ditëve të protestave.

“Policia është treguar jashtëzakonisht e kujdesshme, bashkëpunuese dhe profesionale në ruajtjen e sigurisë dhe paqes. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë zyrtarët policorë që ishin të angazhuar”, thuhet në reagim.

Çështja e emërimit të imamit në xhaminë e re të Dumnicës ka nxitur kundërshtime të një pjese të banorëve, pasi Bashkësia Islame e Kosovës kishte vendosur që në këtë objekt fetar të shërbente mr. Eset Qerimi.

Banorët që kundërshtojnë këtë vendim kanë kërkuar që imam të emërohet hoxhë Fidan Musliu. Sipas përfaqësuesve të tyre, parcela për ndërtimin e xhamisë dhe projekti kishin nisur me pritjen që Musliu të ishte imami i këtij objekti.

Në kuadër të kundërshtimit, banorët kishin organizuar protesta, ndërsa kishin përmendur edhe një peticion me rreth 300 nënshkrime në mbështetje të kërkesës së tyre.

Situata ishte tensionuar më 19 dhe 20 tetor, kur imami i emëruar nga BIK-u, mr. Eset Qerimi, kishte hyrë në xhaminë e re nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, në kohën kur një pjesë e banorëve po kundërshtonin emërimin e tij.

Protestat më pas kishin vazhduar edhe para zyrave të Bashkësisë Islame të Kosovës në Podujevë, ku banorët kishin përsëritur kërkesën për emërimin e Fidan Musliut.

Me vendimin e fundit për tërheqje nga protestat, organizatorët kanë bërë të ditur se aktivitetet protestuese ndërpriten, por kundërshtimi i tyre ndaj emërimit të imamit aktual mbetet. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *