POLITIKATË FUNDIT

Azem Brovina i reagon Arlind Sadikut: Nuk je gazetari i parë shqiptar që raporton nga Kampionati Botëror

Legjenda e komentimit dhe gazetarisë sportive të Kosovës, Azem Brovina, i ka reaguar gazetarit Arlind Sadiku pas deklaratës së tij se do të jetë gazetari i parë shqiptar që do të raportojë nga dita e parë deri në finale në Kampionatin Botëror që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanadë.

“Veç edhe një javë ka mbetur deri te fillimi i projektit tim më të madh në jetë.

Raportimi në Kupën e Botës, në një territor gjigand siç është Amerika, do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme për mua, sepse jam vetë në këtë rrugëtim.

Raportimin e Kupës së Botës nga dita e parë e deri në finale nuk e ka bërë asnjë gazetar shqiptar në histori.

Kjo, për mua do të jetë kënaqësi, por edhe përgjegjësi për ta përfaqësuar vendin dhe popullin tim në çdo vend dhe në çdo moment”, kishte shkruar Sadiku në profilin e tij në facebook.

Por Brovina i është kundërpërgjigjur, duke thënë se Sadiku nuk është gazetari i parë shqiptar që ka raportuar nga një Kampionat Botëror dhe se deklarata të tilla duhet të mbështeten në fakte.

“Ai mund të thotë, edhe mund të thotë ndonjë tjetër që nuk e di ngjarjen prej fillimit, nuk e din historinë, por një deklaratë e tillë, është që më së buti e them, është e pamatur dhe duhet vërtetuar.

Unë, për shembull, kam punuar prej vitit 1970 deri në vitin 2013 në Radio Prishtinë dhe Radio Kosovë. Në Kampionatin Botëror të vitit 1974 në Gjermani kam raportuar që nga dita e parë deri në finale. Kam bërë ndeshjen hapëse të kampionatit mes ish-Jugosllavisë dhe Brazilit, që përfundoi 0:0.

Pastaj kam pasur edhe 3-4 ndeshje tjera në rrethin e parë dhe rrethin e dytë, që është luajtur atëherë në kualifikimet drejt finales. Por kam raportuar deri në ndeshjen finale.

Atë ndeshje përveç se këto të grupit i ka komentuar për televizionin e Prishtinës, Veli Vraniqi dhe Kemajl Çarkaxhiu.

Një ndeshje apo dy, Veliu më shumë. Në vitin 1974 për gazetën ‘Rilindja’, prej ditës së parë deri në të fundit, bile para dhe pas të fundit ka shkruar për ‘Rilindjen’ redaktori i atëhershëm i redaksisë, Ali Shala. Kështu që mund të jetë edhe ndonjë tjetër që tash nuk më kujtohet.

Kështu që nuk është i pari gazetar Arlindi, mund mos të jetë i informuar por deklarata e tilla nuk jepen ashtu kuturu e pa verifikuar vetëm se dëshiron të kundërshtojë atje një gazetar të Shqipërisë.

Këto janë faktet”, ka deklaruar Azem Brovina për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Brovina i ka bërë me dije Sadikut se, përveç Botërorit të vitit 1974, ai ka raportuar edhe nga Kampionati Botëror i vitit 1982 në Spanjë.

“Unë kam ndjekur edhe një Kampionat tjetër Botëror në futboll në vitin 1982 në Spanjë, ku kam transmetuar në grup ndeshjet e ish Jugosllavisë. Pastaj edhe ditëve tjera kam qëndruar duke raportuar për emisionet informative.

Por në Spanjë nuk kam qëndruar deri në fund, kam qëndruar deri një javë apo dhjetë ditë para përfundimit dhe jam kthyer.

Në Gjermani, në vitin 1974, kam qenë prej ditës së parë deri në ditën e fundit së bashku me kolegët që i përmenda më parë.

Pastaj, në vitin 1990, në Kampionatin Botëror në Itali, Veli Vraniqi ka raportuar për Televizionin e Prishtinës, Agim Binaku për Radio Prishtinën, ndërsa Burim Hatipi ka raportuar për gazetën ‘Rilindja’”, ka reaguar Brovina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *