TË FUNDIT

Avokati Stojkoviq kërkon arrestimin e menjëhershëm të Vuçiq

Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka kërkuar arrestimin e ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar se po ndërmerr veprime që dëmtojnë ekonominë e vendit dhe synojnë të pengojnë punën e qeverisë së re, të drejtuar nga Lëvizja Studentore.

Në një postim në Facebook, Stojkoviq ka pretenduar se Vuçiq po kontakton privatisht investues të huaj me të cilët kishte krijuar marrëdhënie gjatë kohës sa ishte në pushtet, duke u kërkuar që të heqin dorë nga investimet në Serbi.

Sipas avokatit, këto veprime kanë për qëllim krijimin e pasigurisë dhe përhapjen e panikut te investuesit e huaj, në mënyrë që të dëmtohet ekonomia e vendit dhe të vështirësohet funksionimi i qeverisë së re.

“Duhet bërë arrestimin e tij qytetar, jo për shkak të së kaluarës së tij, se për atë ka kohë që të hapen hetimet, por për shkak të asaj që po bën tash. Ai merr telefonin privat dhe thërret investuesit e huaj me të cilët gjatë pushtetit të kaluar kishte vendosur kontakte, dhe u bën thirrje të heqin dorë nga investimet me qëllim që të përhapë panik, në mënyrë që ata të ndalin investimet në Serbi, duke thënë se edhe investimet aktuale po tërhiqen”, ka shkruar Stojkoviq.

Ai ka shtuar se veprimet e tilla përbëjnë vepër penale, pasi, sipas tij, synojnë të shkaktojnë dëme ekonomike dhe të krijojnë trazira në vend.

“Ai jo vetëm që e bën këtë, por edhe e pranon publikisht”, ka deklaruar Stojkoviq, duke iu referuar një video-deklarate të Vuçiqit, në të cilën ish-presidenti serb flet për një investues nga Portugalia, i cili, sipas tij, ka paralajmëruar tërheqjen zyrtare nga Serbia.

Stojkoviq ka theksuar se kërkesa e tij për arrestimin e Vuçiqit lidhet me veprimet që pretendon se ai po kryen aktualisht, ndërsa hetimet për të kaluarën e tij, sipas avokatit, mund të zhvillohen veçmas./KP/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *