AUV-ja për problemin me bagëtinë në Kriva Pallankë: Janë kapur 96 lopë, por po përballemi me pengesa nga ish-pronarët
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari deri më tani ka kapur 96 lopë në Kriva Pallankë, por aksioni po përballet me pengesa për shkak të terrenit të paarritshëm dhe kundërshtimit të ish-pronarëve, përcjell TV21. Nga AUV thonë se në bashkëpunim me institucionet kompetente po kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme. Ndërkohë, problemi shumëvjeçar ka shkaktuar përplasje politike mes kryetarit të komunës, Sashko Mitovski, dhe VMRO-DPMNE-së lokale. Mitovski akuzon AUV-në për moszbatim të vendimeve për konfiskimin e bagëtive, ndërsa deputeti Emil Spasovski e akuzon kryetarin se po i shmanget përgjegjësisë. Kryetari i komunës ka kërkuar shpalljen e gjendjes së krizës për 30 ditë dhe autorizime për ta koordinuar vetë aksionin.
