Austria kërkon heqjen e roamingut për Kosovën deri në verën e vitit 2027, lehtësim edhe për shqiptarët në Zvicër
Austria po kërkon që tarifat e roamingut për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, të hiqen deri në verën e vitit 2027.
Nisma synon të ulë kostot e komunikimit për qytetarët gjatë udhëtimeve dhe vizitave familjare.
Sipas transmetuesit publik austriak ORF , ministrja për Evropën, Claudia Bauer, e bëri këtë kërkesë gjatë një takimi në Vjenë me përfaqësues të Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.
Bauer theksoi se përfitimet nga afrimi me Bashkimin Evropian duhet të ndihen edhe në jetën e përditshme, duke shprehur shpresën që marrëveshja të arrihet para verës së ardhshme.
Heqja e tarifave do të ishte veçanërisht e dobishme për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër dhe udhëtojnë drejt vendlindjes, si dhe për familjarët e tyre që vizitojnë Zvicrën.
Megjithatë, përfitimi konkret do të varet nga marrëveshjet që do të arrihen dhe nga zbatimi i rregullave të reja.
Aktualisht, kjo është një nismë në proces negociatash dhe jo një vendim që ka hyrë në fuqi.
Synimi është që qytetarët të mund t’i përdorin telefonatat dhe internetin mobil gjatë udhëtimeve me kushte të ngjashme me ato në vendin e tyre, pa tarifa shtesë të roamingut. /Telegrafi/
