Atentat ndaj Trump? Mossad-i paralajmëron CIA-n, gishti tek Irani
Perspektivat për arritjen e një marrëveshjeje mes SHBA -ve dhe Iranit, qoftë edhe një marrëveshjeje paraprake, janë zvogëluar ndjeshëm ditët e fundit, pjesërisht për shkak të informacioneve të inteligjencës që Mossad -i i ka përcjellë CIA-s, sipas të cilave Irani synon të vërë në shënjestër Presidentin Donald Trump dhe anëtarë të lartë të administratës së tij. Zyrtarë të lartë izraelitë dhe amerikanë thonë se kërcënimet ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në ndryshimin e fundit të qasjes së Trumpit ndaj negociatave me Teheranin, raporton Israel Hayom .
Sipas zyrtarëve të lartë, Izraeli konfirmoi informacionet e inteligjencës me kërkesë të amerikanëve, pasi agjencitë amerikane të inteligjencës i kërkuan Mossad-it të verifikonte këto të dhëna. Drejtori i Mossad-it, Roman Gofman, ndodhet aktualisht në një vizitë në SHBA, ku është takuar, ndër të tjerë, edhe me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe. Që prej marrjes së detyrës, Gofman ka zhvilluar vizita të shpeshta në SHBA, duke ruajtur lidhje të ngushta dhe koordinim me homologët e tij amerikanë.
Një zyrtar i lartë tha se amerikanët ishin tashmë në dijeni të kërcënimeve iraniane kundër jetës së zyrtarëve të lartë të administratës, veçanërisht pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në fillim të ofensivës së përbashkët izraelito-amerikane. Informacionet e inteligjencës të siguruara nga Izraeli tregojnë për kërcënime konkrete dhe të kohëve të fundit, përfshirë mundësinë e sulmeve me dronë të pajisur me eksplozivë, një metodë që është e vështirë të parandalohet përmes masave tradicionale të sigurisë dhe mbrojtjes.
