As AMG, as Maybach – Mercedes-Benz po përgatit një version krejt tjetër të SL
Mercedes-Benz po përgatitet të zgjerojë familjen e modelit të njohur SL Roadster, duke prezantuar një version të ri që do të fokusohet më shumë te komoditeti dhe përvoja luksoze e vozitjes.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ola Källenius, konfirmoi gjatë ceremonisë së çmimeve “Golden Steering Wheel” në Berlin se modeli i ri do të prezantohet në vitin 2027 dhe do t'u bashkohet versioneve ekzistuese AMG dhe Maybach.
Sipas Auto Bild, modeli i ri do të ofrojë një alternativë për klientët që kërkojnë një kombinim të performancës, rehatisë dhe elegancës, pa karakterin shumë sportiv të AMG-së apo luksin ekskluziv të Maybach.
Fotografitë e një prototipi të kamufluar tregojnë disa ndryshime në dizajn, përfshirë logon tradicionale me yllin trekëndësh dhe dritat me elemente në formë ylli.
Ndryshe nga AMG SL, i cili mbetet i orientuar drejt performancës sportive, dhe Maybach SL 680, që synon luksin maksimal, versioni i ri do të pozicionohet mes këtyre dy modeleve.
Sa i përket motorit, raportohet se Mercedes-Benz mund të heqë dorë nga motori me katër cilindra i SL 43 dhe të shqyrtojë përdorimin e një motori me gjashtë cilindra në linjë.
Megjithatë, këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Prodhuesi gjerman nuk ka zbuluar çmimin, fuqinë apo specifikimet teknike të modelit të ardhshëm.
Mercedes-Benz planifikon të prezantojë shtatë modele të reja gjatë vitit 2027, ndërsa SL Roadster do të jetë pjesë e kësaj strategjie të zgjerimit të ofertës. /Telegrafi/
