TË FUNDIT

Arrestohet 69-vjeçari, i merret pushka gjahut, kurthe dhe 13 kg mish kaprolli

Një 69-vjeçar është privuar nga liria në Kavadar, pasi gjatë bastisjeve të realizuara me urdhër gjykate janë gjetur armë gjahu, fishekë, kurthe të ndaluara dhe rreth 13 kilogramë mish kaprolli.

Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur më 26 tetor 2026, rreth orës 15:00, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare Mihajllovë, në bashkëpunim me njësitë përkatëse policore dhe NJPB Kavadar, kanë privuar nga liria J.P. (69) nga Kavadari.

Pas sigurimit të informatave dhe ndërmarrjes së masave përkatëse, me urdhër gjykate janë bastisur shtëpia e pushimit e të dyshuarit dhe objektet ndihmëse në vendin e quajtur „Vasov Grad“, në rrethinë të Kavadarit, si dhe banesa ku ai jeton.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e pushimit, sipas policisë, janë gjetur një pushkë gjahu e markës „Zastava“, tre fishekë gjahu të kalibrit 12, rreth 13 kilogramë mish kaprolli dhe nëntë mjete të ndaluara për gjueti, të njohura si kurthe. Në njërin prej këtyre mjeteve janë konstatuar edhe gjurmë biologjike.

Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të tij, ndaj personit pritet të ngrihen kallëzime penale për veprat „Gjueti e paligjshme“, sipas nenit 228, dhe „Përpunimi, mbajtja dhe tregtimi i palejuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese“, sipas nenit 396 të Kodit Penal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *