“Arrestimi i Hysenit trazoi kupolën e shtetit”/ Çfarë fshihet pas reagimit të Ramës dhe përgjegjësisë për SHISH-in?
Vendimi i Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, ka hapur një tjetër front debati në Shqipëri. Përtej akuzave ndaj ish-drejtoreshës dhe vendimit të gjykatës, në qendër të debatit është vendosur edhe kryeministri Edi Rama, për shkak të pozitës së tij institucionale në raport me SHISH-in.
Rama e ka cilësuar masën e arrestit ndaj Hysenit si “ekstreme” dhe madje me përgjegjësitë institucionale lidhur me rastin kanë diskutuar në Këshillin e Sigurisë. Ky reagim ka nxitur diskutime mbi përgjegjësinë politike dhe institucionale për funksionimin e strukturave të sigurisë së shtetit dhe mbi mënyrën se si duhet të trajtohet një rast i tillë në raportin mes ekzekutivit dhe drejtësisë.
Rasti bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të natyrës së akuzave të ngritura ndaj Hysenit. Prokuroria e Posaçme e akuzon atë për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore. Përtej përgjegjësisë individuale që do të përcaktohet nga organet e drejtësisë, zhvillimi ka hapur debat edhe për përgjegjësinë institucionale dhe politike në drejtimin e një prej strukturave më të rëndësishme të sigurisë në vend.
Në këtë kuadër, reagimi i Ramës ka sjellë një sërë pikëpyetjesh në debatin publik. Nëse kryeministri e konsideron masën e arrestit “ekstreme”, çfarë e ka shtyrë të bëjë një vlerësim të tillë dhe si lidhet ky reagim me përgjegjësinë e tij institucionale ndaj strukturave të sigurisë? A do të kufizohet debati vetëm te përgjegjësia individuale e ish-drejtoreshës apo do të shtrihet edhe te mënyra e funksionimit dhe drejtimit të SHISH-it?
Në anën tjetër, diskutime janë ngritur edhe për mënyrën e komunikimit publik të SPAK-ut. Publikimi i pjesëve të dosjes ka sjellë reagime mbi kufirin mes informimit të publikut dhe ruajtjes së parimit të prezumimit të pafajësisë gjatë një procesi që ende nuk ka përfunduar.
Kapiti: Rasti i SHISH-it ngre përgjegjësi politike për Ramën – nuk mund të mbetet vetëm te ish-drejtoresha
Për këtë çështje, për “Bota sot” foli analisti Skënder Kapiti, i cili thotë se rasti i ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duhet parë përtej përgjegjësisë individuale të saj.
ImageSkënder KapitiFoto galeri
Duke iu referuar akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, Kapiti argumenton se zhvillimet në një institucion të sigurisë kombëtare nuk mund të shkëputen nga përgjegjësia e drejtimit politik të vendit. Sipas tij, në këtë rast vëmendja duhet të përqendrohet edhe te roli i kryeministrit Edi Rama dhe mënyra se si, sipas tij, është drejtuar SHISH-i.
“Vlora Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) de facto është Kryeministri i Shqipërisë, është kryeministri i korrupsionit, paligjshmërisë, tradhtisë dhe i pazareve me interesat kombëtare, është kryeministri gjithfarësoj, i cili, siç e deklaron vetë, se ai është historia. Po, me të vërtetë, atë dhe oborrin e ‘rilindasve’ të tij do ta shënojë historia për dëmet, për korrupsionin, për hajdutërinë dhe për pastrimin e dëbimin e shqiptarëve nga atdheu, histori e cila do ta shënojë atë si keqbërësin më të madh ndaj shqiptarëve, Shqipërisë e Kosovës.”
Kapiti e zgjeron kritikën e tij duke folur për mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të institucioneve shtetërore dhe raportin që, sipas tij, ata kanë me kryeministrin. Në këtë kuadër, ai thotë se përgjegjësia për zhvillimet në SHISH nuk duhet t’i atribuohet vetëm personit që ka mbajtur postin e drejtorit, por duhet të shqyrtohet edhe në raport me strukturën politike që qëndron mbi institucionin.
“Dhe, si i tillë, ai, gjithçka çfarë zgjedh si ministra kabineti e drejtorë, diplomatë e këshilltarë, janë ushtarë besnikë të tij, janë servilë, injorantë, lehtëverbërisht të bindur dhe zbatues të urdhrave të tij, që i nënshtrohen arrogancës së tij dhe që moralisht janë amoralë politikë. Këto janë kriteret që duhen plotësuar për të qenë deputet, ministër, drejtor i SHISH-it, drejtor drejtorish shtetërore, por edhe ‘akademik’, si dhe madje edhe mercenar mediatik, pa harruar se këto janë kritere për të qenë edhe patronazhist, apo konsomolas dhe pionier i Ramës. Pra, patronazhist.”
Më tej, analisti e lidh situatën e krijuar me SHISH-in me përgjegjësinë që, sipas tij, bie mbi kryeministrin. Kapiti argumenton se Rama nuk mund të qëndrojë jashtë debatit për një institucion që, sipas tij, është vënë në funksion të interesave politike të qeverisë.
“Kryeministri shqiptar do të mbetet në histori edhe për faktin se ai ka fyer intelektin dhe dinjitetin njerëzor duke përdorur në ‘batutat’ e tij fjalë të ulëta, siç po i fyen edhe sot protestuesit, siç sillet me gjyqtarët dhe me gazetarët e mediat e pakta e të rralla që po guxojnë t’i kundërvihen atij, dhe siç është edhe avokat i shtetit e pushtetit të tij për të mbrojtur ministrat, drejtorët, hajdutët, të korruptuarit, ashtu siç po vepron të mbrojë edhe drejtoreshën e SHISH-it, të zgjedhur prej tij.”
Duke folur konkretisht për rastin e fundit, Kapiti vlerëson se përgjegjësia politike duhet të kërkohet më gjerë se te ish-drejtoresha e SHISH-it. Sipas tij, Hyseni ka vepruar në një terren institucional të krijuar më herët dhe se hetimi duhet të shohë edhe raportet politike brenda këtij institucioni.
“Për rastin më të fundit që ka të bëjë me skandalin e SHISH-it, kjo është përgjegjësi më shumë e kryeministrit sesa e ish-drejtoreshës, pasi ajo kështu e gjeti terrenin dhe, detyrimisht, por edhe me dëshirë të saj, ajo vetëm sa ka zbatuar urdhrat politikë të padronit, pra duke e vendosur SHISH-in në shërbim apo duke e përdorur atë si vegël të korrupsionit, hajdutërisë, narkoshtetit dhe të qeverisë.”
Në fund, Kapiti e zgjeron qëndrimin e tij edhe te marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, duke e vendosur zhvillimin aktual në një kontekst më të gjerë politik dhe kombëtar.
“Unë në vitin 2012 kam shkruar librin ‘Triumfi i Kombit’, tashmë me shpresën se pas triumfit, fitores së Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit të Kosovës, shqiptarëve u ishte hapur rruga për Bashkimin Kombëtar, por fatkeqësisht sot, në vitin 2026, pra aktualisht, Shqipëria, por edhe Kosova, ndodhen në udhëkryq dhe kurrë marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk kanë qenë në një nivel kaq të ulët. Dhe historia këtë do t’ua shënojë si vepër të keqbërësve kombëtarë, si të qeverisë së Tiranës, ashtu edhe të opozitës së sotme të Kosovës.”
Ndoj: Rama ka përgjegjësi morale e politike për SHISH-in
Ndërkaq, publicisti Llesh Ndoj e vendos theksin te përgjegjësia institucionale e kryeministrit si epror i drejtpërdrejtë i SHISH-it. Ai bën dallim mes përgjegjësisë politike e morale dhe asaj penale, duke theksuar se nuk është kompetent të përcaktojë nëse Rama mund të ketë përgjegjësi penale.
ImageLlesh NdojFoto galeri
“Së dyti, Rama, Kryeministri i Shqipërisë është eprori i drejtpërdrejtë i SHISH, dhe si i tillë ka përgjegjësi, morale e politike. Nuk e di e s’jam kompetent të them a ka a jo përgjegjësi penale. Lidhur me deklaratën e Ramës, personalisht e quaj normale, duke mbajtur parasysh një situatë alarmi për të e për shtetin. Dy pamje: deri dhe as që mund të imagjinohej që një njeri në detyrë i rangjeve të ulëta e shumë më të ulëta se ai, të arrestohej në detyrë. Tash kreu i shërbimit arrestohet, jo vetëm duke qenë në detyrë, por edhe duke qenë jashtë shtetit.”
Ndoj kritikon gjithashtu mënyrën se si SPAK-u ka komunikuar për rastin, duke argumentuar se publikimi i pjesëve të dosjes mund të ketë ndikuar në perceptimin publik ndaj ish-drejtoreshës para përfundimit të procesit gjyqësor.
“Nëse shteti do të ishte normal, e institucionet të funksiononin në shërbim të tij, Vlora Hyseni duhej të kthehej në atdhe dhe duhej të jepte dorëheqjen, para se të shpallej arresti! Kjo, jo për Hysenin a për Ramën, por për seriozitetin e shtetit shqiptar! Dhe e dyta, SPAK-ut nuk i falet që nxori në publik pjesë të dosjes, duke bërë denigrimin personal të saj në opinion, përpara fajësisë ligjore”, përmbylli Ndoj për “Bota sot”.
