Arrestim pas zjarrit në rezidencën malore të Hitlerit: Foleja e Shqiponjës
Zjarri përfshinë ish-shtëpinë e Hitlerit “Foleja e Shqiponjës” në Gjermani Policia në shtetin gjerman jugor të Bavarisë ka ndaluar një të dyshuar gjatë një zjarri në rezidencën malore alpine të Adolf Hitlerit, “Kehlsteinhaus”, e njohur ndryshe si “Foleja e Shqiponjës”.
Shërbimet e emergjencës në Traunstein morën një njoftim për zjarr në ndërtesë të premten, në orën 21:15 me orën lokale (19:15 GMT), dhe zjarrfikësit e gjetën atë të përfshirë nga flakët.
Terreni i vështirë pengoi përpjekjet për shuarjen e zjarrit, i cili vazhdoi të digjej edhe herët të shtunën, bëri të ditur policia. Në vendngjarje u angazhuan rreth 200 punonjës të shërbimeve të emergjencës. Deri më tani, nuk raportohet për të lënduar, sipas BBC .
Është duke u zhvilluar një hetim penal për të përcaktuar nëse i dyshuari ka lidhje me zjarrin.
Rezidenca, e vendosur mbi qytetin e Berchtesgaden-it, ishte një nga disa ndërtesa në zonë që përdoreshin nga diktatori nazist dhe rrethi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Hitleri dhe zyrtarë të lartë nazistë e përdornin rezidencën e tij aty pranë, “Berghof”, për të planifikuar pushtimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, i gjithë kompleksi konsiderohej si një nga selitë kryesore të regjimit.
E ndërtuar nga nazistët në vitin 1938, “Foleja e Shqiponjës”, e cila ndodhet në një lartësi prej rreth 1800 metrash, i shpëtoi shkatërrimit pas humbjes së Gjermanisë naziste në vitin 1945.
Që atëherë, objekti është shndërruar në një destinacion të njohur turistik dhe në të funksionon një bujtinë malore.
Sipas faqes së saj zyrtare, “Foleja e Shqiponjës” shërben si “një kujtesë paralajmëruese për humnerat e diktaturës çnjerëzore naziste”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hitleri dhe pasuesit e tij ishin përgjegjës për vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve, përfshirë vrasjen masive të hebrenjve evropianë. Homoseksualët, romët, personat me aftësi të kufizuara dhe pakicat etnike u dërguan në kampe përqendrimi dhe u ekzekutuan.
Në Gjermani dhe Austri ka pasur një debat të gjerë nëse ndërtesat që lidhen me Hitlerin duhet të ruhen, t’u ndryshohet funksioni apo të shemben. Ndërsa disa thonë se këto ndërtesa duhet të ruhen për arsye historike, të tjerë kanë shprehur shqetësimin se ato mund të përdoren si monumente ose vende pelegrinazhi nga neo-nazistët dhe ekstremistët e së djathtës ekstreme.
Në qershor, autoritetet e Berlinit njoftuan se do të shembnin një nga bunkerët e Hitlerit, i përshkruar në atë kohë si “qendra e pushtetit të Gjermanisë naziste”, për të ndërtuar apartamente dhe zyra në atë vend.
Ata që kritikuan këto plane thanë se bunkeri kishte “vlerë të konsiderueshme historike” dhe se duhej të ishte shndërruar në një muze dhe vend përkujtimor, me një ekspozitë mbi fundin e luftës. /KosovaNews/
