TË FUNDIT

Armatimi serb pranë varrezave masive, zbardhen detajet e aksionit të madh policor në veri – flasin Sveçla e Hoxha

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me ankesën e Nenad Rashkoviqit për rrahje nga Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se për këtë rast është angazhuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Sveçla tha se pas rekomandimit të IPK-së, nga detyra janë pezulluar dy zyrtarë policorë, ndërsa ka shtuar se pas përfundimit të hetimeve, publiku do të njoftohet për të gjeturat dhe masat eventuale.

Sveçla: Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e rastit Rashkoviq

“Patjetër, në momentin që ne jemi njoftuar për këtë ankesë, Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e këtij rasti. Tashmë ju e dini se ky inspektorat ka rekomanduar dhe eprorët e policisë kanë realizuar pezullimin e dy zyrtarëve policorë. Në momentin që kemi përfundim të hetimeve, gjithsesi publiku ynë do të jetë i informuar mbi të gjeturat dhe masat eventuale ndaj cilitdo”, tha Sveçla.

Ai ka kritikuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar se po e shfrytëzon këtë rast për të devijuar vëmendjen nga hetimet për krimet e luftës në Kosovë.

Sveçla: Vuçiq tenton ta shfrytëzojë rastin Rashkoviq për minimizimin e veprimeve të Serbisë në luftën në Kosovë

“Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të Presidentit Vuçiç, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat, të cilat janë të tmerrshme. Domethënë kemi zbuluar tri varreza masive, kemi zbuluar 71 armë të gjata”, deklaroi ai.

Sveçla tha se në vend të deklaratave publike, Vuçiq duhet të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës.

Ministri në detyrë shtoi se institucionet do t’i përfundojnë hetimet për të dyja çështjet, duke kërkuar nga presidenti serb që të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha foli edhe për hetimet që kanë të bëjnë me krimet e luftës ndaj popullatës civile në Kosovë, duke thënë se Policia e Kosovës i ka dhënë prioritet të veçantë.

Ai përmendi edhe rastin e vrasjes së grupit të intelektualëve të Mitrovicës gjatë luftës, të cilin Policia e Kosovës e kishte marrë në hetim nga EULEX-i në vitin 2018.

Hoxha: Rasti i vrasjes së grupit të intelektualëve të Mitrovicës në prill 1999, trajtim të veçantë dhe me prioritet

“Interes ka qenë edhe rasti i vrasjes së grupit të intelektualëve të Mitrovicës, të cilin rast Policia e Kosovës e ka marrë në hetim nga Policia e EULEX-it gjatë vitit 2018. Përgjatë tre viteve ky rast është trajtuar si rast i caktuar me trajtim të veçantë dhe me prioritet, për shkak të kompleksitetit të rastit, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete. Gjatë kësaj periudhe kohore janë realizuar dy urdhëresa për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim, të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special. Në vazhdimësi të mbledhjes së informacioneve nga ky ekip, janë zbatuar edhe dy urdhëresa të tjera për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim në lokacionin e fshatit Qabër… Megjithatë, gjithë kjo veprimtari e tyre nuk ka sjellë rezultate pozitive në atë kohë”, tha Hoxha.

Ai tha se hetimet kanë të bëjnë edhe me dy grupe civilësh të zhdukur gjatë prillit të vitit 1999.

Hoxha: Hetimet kanë të bëjnë edhe me dy grupe civilësh të zhdukur gjatë prillit 1999

“Sa i përket gjetjes së mbetjeve eshtrore të personave të zhdukur, përkatësisht dy grupeve të civilëve të zhdukur gjatë muajit prill të vitit 1999, grupi i njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’ dhe pjesëtarët e familjes Feka dhe Isufi nga Koshtova e Mitrovicës, lidhur me rastin e zhdukjes së familjes Feka dhe Isufi, hetuesit kanë paraqitur kallëzim penal ndaj të dyshuarve me numër të rastit 2024-7”, tha ai.

Ai bëri të ditur se gjashtë persona janë shoqëruar në polici, katër prej tyre si dëshmitarë dhe dy si të dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar.

Sipas tij, në kuadër të hetimeve janë lokalizuar edhe tri vendvarreza të dyshuara, ku janë gjetur gjithsej 23 mbetje eshtrore.

Hoxha: Katër persona si dëshmitarë dhe dy si të dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar

“Lokacioni i parë ka qenë në fshatin Kalludër e Vogël, i lokalizuar më datën 27 shtator. Si rezultat i zhvarrimit, këtu janë gjetur 13 mbetje eshtrore, do të thotë për 13 trupa. Lokacioni i dytë ka qenë në Jabuqë të Vogël, i lokalizuar më datën 2 tetor. Rezultati i zhvarrimit ka qenë katër trupa, mbetje eshtrore. Ndërsa lokacioni numër tre, Kalludër e Vogël, i lokalizuar më datën 3 tetor, rezultati i zhvarrimit ka qenë gjashtë trupa apo gjashtë mbetje eshtrore. Rezultati i zhvarrimit kanë qenë 6 trupa apo 6 mbetje eshtrore. Nga tri lokacionet janë gjetur gjithsej prova dhe dëshmi materiale si në vijim: 66 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm”, tha Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *