TË FUNDIT

“Arena Sport” po largohet nga Kroacia e Sllovenia

“Telekom Srbija”, operatori shtetëror serb, ka njoftuar tërheqjen graduale të “Arena Sport” nga tregu kroat dhe ai slloven. Por shikuesit atje nuk kanë pse të shqetësohen për një ndalim të menjëhershëm, kanalet do të vazhdojnë të transmetojnë sa kohë të kenë kontrata të vlefshme.

Pasi disa media njoftuan tërheqjen e televizionit sportiv serb nga tregu kroat vitin e kaluar, shikuesit u shqetësuan se kanalet e Arena Sport mund të zhdukeshin që më 1 janar 2027. Megjithatë, kjo datë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra palë, transmeton Index HR nga kryeqyteti kroat, Zagrebi.

Telekom Srbija, pronari i Arena Sport, ka njoftuar në shkurt 2025 një tërheqje graduale nga Kroacia dhe Sllovenia, si dhe ndërprerjen e blerjes së të drejtave të reja sportive për këto dy tregje.

Kjo do të thotë që Arena nuk do të zhduket papritur nga ekranet televizive kroate. Stacioni do të vazhdojë të transmetojë të gjitha garat për të cilat ka kontrata ende të vlefshme, mes tyre edhe disa nga garat më të njohura sportive në rajon. Pas skadimit të secilës kontratë, të drejtat e transmetimit pritet t’i marrin operatorë të tjerë.

Arena Sport është në pronësi e mbështetet nga shteti serb, kurse zgjerimi i tij në tregun rajonal ka pasur prej vitesh edhe një dimension të fortë politik.

Presidenti serb, autokrati i rrëzuar, Aleksandar Vuçiç e ka mbështetur publikisht strategjinë e Telekomit, e cila përfshinte shpenzimin e shumave të mëdha për blerjen e të drejtave televizive sportive.

Shembulli më i njohur është “Premier League” angleze. Në vitin 2021, Telekom Srbija ra dakord për një kontratë gjashtëvjeçare për periudhën 2022 – 2028, vlera e së cilës sipas mediave shkon deri në 600 milionë euro, ose rreth 100 milionë euro në vit. Telekom nuk e ka njoftuar zyrtarisht shumën e kontratës, duke deklaruar se është sekret biznesi.

Sipas raporteve të medias në atë kohë, kjo shumë ishte pothuajse dhjetë herë më e lartë se ajo që kishte paguar më parë konkurrenti Sport Klub për të njëjtat të drejta. Blerja tërhoqi kritika të shumta dhe disa media serbe e të huaja e lidhën atë me një përballje politike kundër konkurrentit United Group , ndërsa Vuçiqi e mbrojti publikisht politikën e biznesit të Telekomit.

Pas vitesh investimesh të mëdha dhe zgjerimi në të gjithë rajonin, Telekom Srbija ka vendosur t’i përqendrojë operacionet e saj në tregjet e Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, duke e shpërfaqur edhe me këtë rast veten të jenë vegël e Serbisë për “botën serbe”.

“Arena Sport” transmetohet edhe në Kosovë, në kabllorët e mts DOO (degë e Telekom Srbija), që është e shtrirë në komuna me shumicë serbe e të disa kabllorëve tjerë (ArtMotion e tjerë), që shërbejnë gjithandej vendit e që disa ndeshje sportive i transmetonin vetëm në serbisht.

Në fillim të tetorit 2023, pas raportimit tonë, vetëm një ditë pas sulmit në Banjskë, rregullatori kosovar i medieve – KPM e ka ndaluar emitimin e programacionit të Arena Sport, sepse në kanalet e saj ishin shfaqur përmbajtje hymnizuese për terroristat që në Banjskë shtien mbi oficerin policor Afrim Bunjakun – sot hero i Kosovës. Ky ndalim ka zgjatur vetëm deri në fillim të shkurtit të 2024, kur KPM e largoj këtë ndalesë, duke dhënë arsyetime prej më qesharakeve.

Kërkesën për rikthim të kanaleve të Arena Sport në KPM e kishte bërë kompania “Artmotion”, më 5 shkurt 2024, duke thënë se “ vendimi i KPM-së do të ishte mirë të revokohet dhe të lejohet rikthimi i kanaleve të “Arena “”. “ Duke u bazuar në faktin se “Artmotion” ka siguruar të gjitha mekanizmat e monitorimit për kanalet e “Arena Sport” si dhe rëndësinë e eventeve sportive për klientët tanë… meqë vendimi kishte karakter të përkohshëm dhe konsiderojmë se janë plotësuar kushtet të cilat e lejojnë KPM-në të aprovojë kërkesën tonë për rikthim në ritransmetim të kanaleve të “Arena” gjithmonë nën monitorim të rreptë nga ‘Artmotion’ ” – ishte shkruar asaj kohe në kërkesën e bërë nga “Artmotion”. Vetëm një ditë më pas, KMP-ja mbajti një mbledhje, ku me 4 vota pro është miratuar kërkesa, duke thënë se: “do nxirret një vendim i ri për këtë çështje me karakter paralajmërues në gjoba më direkte në rast të përsëritjes së atyre veprimeve “. Në prononcimet e tyre në këtë mbledhje, anëtarët e KPM-së patën dhënë arsyetime të çuditshme. Kryetari i këtij rregullatori, Jeton Mehmeti, e ka arsyetuar vendimin duke thënë se “ kanë ndryshuar rrethanat ”. Kurse, Fitim Veliu, anëtarë i Bordit Drejtues të KPM-së, e pat elaboruar këtë me “ Vendimi është marrë për t’u krijuar pluralizëm, mos t’i lihet monopoli Digitalb-it, pra në interes të qytetarëve ”. Në anën tjetër, DigitAlb në këtë kohë ankohej se ArtMotion e disa kabllorë tjerë në Kosovë po e transmetonin “Premier Ligën” (angleze) nëpërmjet ArenaSport, për të cilën përmbajtje të drejtat i pretendonte kjo kompani tiranase.

Në një artikull tjetër patëm folur për një konflikt të mundshëm të interesit të së paku një zyrtari të lartë të KPM-së karshi operatorit “ArtMotion”.

Më vonë patëm raportuar se “ArtMotion” kishte regjistruar një kompani në Novi Sad të Serbisë, të quajtur “ArtMotion Platforma DOO Novi Sad” dhe i kishte regjistruar te rregullatori medial serb – REM – dy kanale sportive Sport1 dhe Sport2.

Telekom Srbija po hetohet edhe nga disa rregullator në botë në lidhje me praktikat e tyre të financimit, të blerjes së të drejtave të transmetimit e mënyrës së operimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *