POLITIKATË FUNDIT

Aq janë kryeneçë këta të qeverisë së RMV-së, saqë kushtëzojnë BE-në se si të veprojë me Bullgarinë

Sjellja politike e qeverisë së Mickoskit ndaj detyrimeve të BE-së është nënçmuese. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, del kundër kushteve të BE-së, duke i kërkuar asaj që, me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, të mos u lejohen atyre kërkesa të tjera.

Aq janë “asgana” këta të qeverisë së RMV-së, saqë jo vetëm që kundërshtojnë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së, por, me “fuqinë që kanë”, kushtëzojnë edhe BE-në që, pasi bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, të mos u lejohen kërkesa të tjera.

Kjo do të thotë se bullgarëve nuk do t’u lejohet himni i shtetit bullgar, flamuri i shtetit bullgar, nuk do t’u lejohet të kenë shkollat e tyre, të formojnë parti politike, të konkurrojnë për deputetë dhe kryetarë komunash gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, apo që administrata në vendet ku jetojnë të jetë bullgare. Po ashtu, nuk do t’u lejohet të flasin e të këndojnë në gjuhën bullgare etj.

E pyesim qeverinë e RMV-së: nëse për shqiptarët dhe pakicat e tjera lejohen gjuha, flamuri, shkollat dhe partitë politike, pse frikësohen t’i përfshijnë në Kushtetutë 2.000 bullgarët që jetojnë në RMV? Pse, për shkak të 2.000 bullgarëve, të sakrifikohet e gjithë RMV-ja, duke u bërë qesharake para BE-së?

Me këto veprime kundër detyrimeve që kërkon BE-ja, qeveria e Mickoskit po ia hap rrugën së keqes vetë RMV-së.

Partisë në pushtet, VMRO-së, me qëndrimet e saj kundër BE-së, vetëm do t’i shtohen problemet shtetërore, duke e çuar vendin nga e keqja drejt edhe më të keqes.

Në një të ardhme të afërt, Shqipëria do të anëtarësohet në BE dhe atëherë do të shfaqet edhe një problem tjetër për RMV-në. Ashtu siç kërkojnë bullgarët në RMV, të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Shqipëria për shqiptarët e RMV-së. Përveç vetos bullgare, RMV-së do t’i shtohet edhe një veto tjetër nga Shqipëria. E pastaj, si do të veprojë qeveria e RMV-së?

Siç shihet dhe vërehet, në Ballkanin Perëndimor vetëm dy shtete rrezikojnë të izolohen dhe të varfërohen: Serbia dhe RMV-ja. Shtetet e tjera, me hapa të ngadalshëm, por të sigurt, do të anëtarësohen në BE. Pengesë për anëtarësimin e Serbisë në BE do të jenë Kroacia, Hungaria dhe Shqipëria, ndërsa pengesë për anëtarësimin e RMV-së në BE do të jetë Bullgaria e, në të ardhmen, edhe Shqipëria.

BE-ja në Ballkanin Perëndimor do të ketë dy “maca të zeza”: RMV-në dhe Serbinë. Shtetet e tjera do t’i bashkohen BE-së së përparuar dhe të pasur. RMV-ja dhe Serbia do të mbeten, mjerisht, vetëm me nacionalizmat e tyre të varfra, romantike-shoviniste dhe asgjë më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *