OPINIONTË FUNDIT

Anëtarësimi në BE, Kurti njofton për Task Forcën e krijuar për statusin e vendit kandidat

Kryeministri i Albin Kurti ka njoftuar se Kosova po ndërmerr hapa të rinj për të avancuar procesin e anëtarësimit në Bashkimi Evropian, ndërsa aplikimi i vendit vazhdon të mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli edhe pas 40 muajsh.

Përmes një postimi në Facebook, shefi i qeverisë theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në mesin e dhjetorit 2022 dhe, sipas tij, vendi tashmë ka dëshmuar përparim të dukshëm demokratik dhe ekonomik në rajon.

“Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022. Me 15 prill të këtij viti u bënë 40 muaj që aplikimi ynë mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli. Kosova është demokracia më e avancuar e rajonit, me mesataren më të lartë të rritjes ekonomike dhe e rreshtuar plotësisht me vlerat dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike që shoqëria jonë e ka bërë dhe qeveria e ka prioritet”, ka shkruar ai.

Po ashtu, kryeministri njoftoi se kryenegociatori me BE-në është autorizuar të krijojë një Task Forcë të veçantë, duke nisur me atë për Statusin e Vendit Kandidat.

Kurti theksoi se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet paralelisht me reforma të brendshme, duke ruajtur unitetin në vendimmarrjen e politikës së jashtme.

“Sot, me qëllim të dinamizmit të procesit dhe për të siguruar koordinim ndërinstitucional në këtë çështje prioritare, kemi themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryenegociatorin me Bashkimin Evropian e autorizuam që të krijojë Task Forcë specifike, duke filluar sot me Task Forcën për Statusin e Vendit Kandidat. BE-ja duhet të zgjerohet duke u reformuar njëkohësisht”.

“Të marrë vendime në politikën e jashtme duke ruajtur unitetin brendshëm. Këto janë të mundura dhe Kosova është gati të kontribuojë. Procesi i zgjerimit sjell reforma, avancim të demokracisë e mirëqenie ekonomike. Anëtarësimi bëhet për reforma, për demokraci, për zhvillim dhe për të kontribuar në projektin më të madh të përbashkët të paqes dhe prosperitetit”, ka potencuar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *