Andin Hoti: 27 vjet pa babain, mes boshllëkut dhe krenarisë së madhe
Andin Hoti
27 vjet kaluan. 27 vjet jetuam mes mungesës dhe krenarisë.
Mungesa jote mbetet boshllëk që kurrë nuk mbushet.
Dhimbjen kemi mësuar ta mbajmë brenda vetes, ta përbijmë në heshtje, duke jetuar çdo ditë me mallin për ty.
Mërzinë dhe mllefin përpiqemi t’i mundim me krenarinë që na e trashëgove dhe na e le amanet.
Me krenarinë për njeriun që ishe, për emrin që le pas dhe për kujtimin që vazhdon të jetojë te të gjithë ata që të njohën.
Ka ditë kur angazhimet e jetës na marrin përpara dhe mendja shpërqendrohet në rutinën e përditshme, por mjafton një fjalë, një kujtim apo një rrëfim nga dikush, i njohur apo i panjohur, që të na rikthejë në atë labirint të pafund të dhimbjes e krenarisë.
“Ndjehu krenar me babanë tënd. Profesori Ukshin Hoti na ka frymëzuar ta luftojmë dhe ta mposhtim Serbinë.”
Fjalë të tilla, me vlerësimet më të larta, i dëgjoj vazhdimisht dhe ato më frymëzojnë ta vazhdoj rrugën që ma trasoi Babai im. I dëgjoj nga profesorë, politikanë, ish-të burgosur politikë, veprimtarë të çështjes kombëtare, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bujq, mjekë, njerëz të profesioneve të ndryshme, prijës fetarë, gra e burra, shqiptarë nga të gjitha trojet, përfshirë ata që jetojnë larg vendlindjes.
Ukshin Hoti ishte i tillë, ishte i të gjithëve. Ishte i popullit dhe me popullin, jetoi për popullin, për lirinë, për atdheun dhe për shqiptarinë. Prandaj edhe fatin e jetën e tij i lidhi me fatin e popullit shqiptar.
Në vend të rehatisë zgjodhi rrugën e sakrificës!
