Anderson, ylli i Man Cityt që mund t’i hapë probleme PSG-së
Elliot Anderson po kalon një formë të shkëlqyer te Manchester City dhe paraqitja e tij ndaj Liverpoolit ishte një tjetër dëshmi e rëndësisë që ka fituar në mesfushën e skuadrës së drejtuar nga Enzo Maresca.
Mesfushori anglez ishte ndër lojtarët më të dalluar në fitoren ndaj ekipit nga Merseyside, duke treguar se mund të luajë një rol kyç edhe në përballjen e shumëpritur ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.
23-vjeçari, i cili u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes kundër Liverpoolit, shkëlqeu me angazhimin e tij në të gjitha fazat e lojës.
Ai ishte vazhdimisht i përfshirë në aksionet e Cityt, duke kombinuar saktësinë në pasime me forcën fizike dhe aftësinë për të fituar duelet me kundërshtarët.
Statistikat e tij e dëshmojnë ndikimin në lojën e skuadrës angleze.
Anderson realizoi 100 prekje të topit, kompletoi 71 pasime, fitoi 11 duele dhe rikuperoi gjashtë topa.
Përveç kësaj, ai fitoi tetë ndërhyrje të kundërshtarëve që përfunduan me faulle ndaj tij, krijoi dy raste për gol dhe regjistroi një asistim.
Mesfushori përshkoi gjithsej 11.4 kilometra, duke treguar se është një lojtar që nuk ndalet së punuari gjatë gjithë ndeshjes. Përveç kontributit në fazën defensive, ai ndihmon edhe në ndërtimin e aksioneve, thyen linjat kundërshtare me pasimet e tij dhe merr pjesë në krijimin e rasteve për shënim.
“Jemi të gjithë shumë të bashkuar, më shumë se kurrë, dhe mendoj se duhet të vazhdojmë kështu. Duhet të qëndrojmë së bashku. Më pëlqen të luaj me intensitet dhe të shpenzoj shumë energji në të gjithë fushën”, deklaroi Anderson pas fitores ndaj Liverpoolit.
Forma e tij vjen në një moment të rëndësishëm për Manchester Cityn, që këtë të mërkurë (sot) përballet me Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve.
Kundër një kundërshtari që njihet për intensitetin dhe cilësinë në mesfushë, Anderson mund të jetë një prej lojtarëve vendimtarë për skuadrën angleze.
Me energjinë, rezistencën ndaj presionit dhe aftësinë për të kontribuar në të dyja fazat e lojës, anglezi pritet të ketë një rol të rëndësishëm në këtë përballje.
Paraqitja ndaj Liverpoolit është një sinjal i qartë se PSG-ja do të duhet ta ketë nën vëzhgim të veçantë mesfushorin e Manchester Cityt. /Telegrafi/
