POLITIKATË FUNDIT

“Analizohet” kërkesa e BE-së për Urën e Ibrit, ekspertët flasin për rreziqet dhe skenarët pas hapjes

Presin “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” , kështu kanë thënë të martën nga Komisioni Evropian për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, ka thënë në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, u shpreh Hipper.

Deklarata e saj vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Rreziqet e mundshme dhe plani i hapjes

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka folur për “Bota sot”, rreth rreziqeve të mundshme, duke konsideruar se nga pala shqiptare nuk do të ketë asnjë lloj provokimi.

Por, pritshmëritë e tij janë nga pala serbe rreth skenarëve të ndryshëm destabilizues në terren.

ImageFidair BerishaFoto galeri
“Hapja e urës së Ibrit për automjete është një proces me rëndësi të veçantë strategjike për vendin tonë, përkundër se me vonesë dhe pa ndonjë arsye të veçantë megjithatë si thotë populli më mirë vonë se kurrë. Nëse i analizojmë mirë rreziqet e mundshme në veri, vlerësoj se nga pala shqiptare nuk do të ketë asnjë lloj provokimi, pasi qëllimi ynë i vetëm mbetet liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit. Megjithatë, duke njohur palën serbe pres skenarë të ndryshëm destabilizues në terren. Në rastin konkret ,konsideroj se Serbia do të tentojë që përmes provokimeve të ndryshme dhe rrugëve diplomatike të veprojë për të mbyllur eventualisht urën apo për të bllokuar procesin. Kur e them këtë e kam parasysh faktin se strukturat politike në Beograd e dinë shumë mirë se Policia e Kosovës dhe institucionet tona të tjera të sigurisë e kanë situatën plotësisht nën kontroll dhe nuk lejojnë asnjë hapësirë për ndonjë veprim që do të cenon sigurinë në Kosovë. Ndër skenarët e mundshëm nga pala serbe, do të veçoja provokimet e inskenuara ndëretnike, bllokadat me automjete të rënda në veri ,fushatat e dezinformimit dhe ndonjë inskenim tjetër ndaj qytetarëve serb kinse janë të rrezikuar nga shqiptarët apo organet e sigurisë”, deklaron Berisha.

Eksperti vlerëson përgatitjen e policisë së Kosovës për të gjithë qytetarët, gjersa shton se ka kapacitete të mjaftueshme humane dhe logjistike për të garantuar që rendi publik të mos cenohet në asnjë moment.

“Përballë këtyre sfidave, theksoj me bindje të plotë se institucionet tona të sigurisë janë të përgatitura në çdo aspekt për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim. Unë shoh se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme humane dhe logjistike për të garantuar që rendi publik të mos cënohet në asnjë moment. Jam i sigurt se institucionet tona janë plotësisht të afta për të mbajtur situatën nën kontroll, pa marrë parasysh natyrën e provokimeve. Përkundër kësaj , mendoj se koordinimi taktik me KFOR-in dhe EULEX-in mbetet i rëndësishëm për të parandaluar çdo keqkuptim dhe për të dërguar një mesazh të qartë të unitetit”, shprehet eksperti.

Ai flet edhe rreth planit konkret koordinimi mes institucioneve qendrore, komunave dhe mekanizmave ndërkombëtarë para hapjes së urës, duke shtuar se institucionet të sigurisë janë të përgatitura në çdo aspekt dhe të afta të reagojnë me profesionalizëm të lartë

“Nga perspektiva operative, një plan konkret koordinimi para hapjes duhet të përmbajë pika të monitorimit statik në të dy anët e urës, një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi mes dy komunave të Mitrovicës dhe funksionalizimin e një qendre të përbashkët operative në kohë reale. Hapja e urës në afatgjatë do të ndikojë pozitivisht në uljen e tensioneve dhe në integrimin e veriut. Duke njohur situatën e deritanishme dhe veprimin e strukturave në pjesën veriore, mendoj se, skenari më i rrezikshëm do të ishte ndonjë sulm i qëllimshëm ndaj automjeteve, i cili do të shfrytëzohej nga strukturat serbe dhe Serbia për të kërkuar rikthimin e bllokadave përmes faktorit ndërkombëtar. Por, duke qenë se institucionet tona të sigurisë janë të përgatitura në çdo aspekt dhe të afta të reagojnë me profesionalizëm të lartë, jam i bindur se çdo skenar i çfarëdo natyre qoftë do të zbulohet me kohë dhe do të menaxhohet me profesionalizëm dhe me sukses”, përfundon Berisha.

Kërkesa e Komisionit Evropian, nevoja për mbështetje të ndërkombëtarëve dhe politizimi i urës

Ndërsa, analisti Eduard Gashi thotë se kërkesa e BE-së nuk duhet ta ndalojë Kosovën ta ushtrojë sovranitetin e saj.

Sipas tij, debati real nuk duhet të jetë nëse ura duhet të hapet, por si duhet të hapet dhe çfarë mesazhi politik duhet të dërgojë hapja e saj.

ImageEduard GashiFoto galeri
“Kërkesa e BE-së për “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota” nuk është domosdoshmërisht një veto ndaj hapjes së urës. Por as nuk duhet të shndërrohet në formulë diplomatike për shtyrje pa afat. Kosova ka të drejtë të ushtrojë sovranitetin e saj – por një shtet serioz nuk e dëshmon sovranitetin duke i befasuar aleatët e vet. Deklarata e fundit e Komisionit Evropian për urën kryesore mbi Ibër duhet lexuar me kujdes. Brukseli kërkon “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës”, ndërsa njëkohësisht thekson se ura duhet t’u shërbejë të gjitha komuniteteve dhe se Policia e Kosovës duhet të garantojë sigurinë për të gjithë. Në gjuhën diplomatike evropiane kjo nuk është një fjali e rastësishme. Por nuk është as një “jo” për hapjen e urës.

Përkundrazi, vetëm pak ditë më parë Bashkimi Evropian kishte konfirmuar se kushtet që më parë i konsideronte të nevojshme për hapjen e urës janë përmbushur. Ndërkohë, KFOR-i ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura, duke e lidhur këtë hap me përmirësimin e situatës së sigurisë. Prandaj debati real nuk duhet të jetë më nëse ura duhet të hapet, por si duhet të hapet dhe çfarë mesazhi politik duhet të dërgojë hapja e saj”, deklaron Gashi për “Bota sot”.

Ai komenton kërkesën e Komisionit Evropian, duke thënë se koordinimi nuk është leje.

“Brukseli nuk po kërkon domosdoshmërisht shtyrje! Unë do ta interpretoja kërkesën e Komisionit Evropian në radhë të parë si një kërkesë për proces të kontrolluar politik dhe institucional. BE-ja praktikisht po thotë: po, ura mund dhe duhet të bëhet funksionale, por hapja e saj nuk duhet të prodhojë një krizë të re pikërisht në momentin kur mund të shndërrohet në simbol të normalizimit. Ky është një dallim thelbësor. Koordinimi nuk është leje. Konsultimi nuk është veto. Institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të vendosin sovranitetin e tyre në varësi të miratimit të një komune apo të një partie politike serbe. Por në një shtet demokratik, sidomos në një zonë të ndjeshme si Mitrovica e Veriut, konsultimi me qytetarët dhe autoritetet lokale është pjesë e qeverisjes së mirë. Nëse “konsultimi” do të nënkuptonte se ura hapet vetëm kur Lista Serbe ose Beogradi të japin pëlqimin, atëherë kjo do të ishte e papranueshme. Një gjë e tillë do të krijonte faktikisht një të drejtë vetoje mbi ushtrimin e autoritetit të Kosovës. Por nuk shoh arsye që deklarata aktuale e BE-së të interpretohet automatikisht në këtë mënyrë. Një urë që duhej të ishte hapur prej vitesh. Ka edhe një fakt që Brukseli nuk duhet ta harrojë. Çështja e urës nuk ka lindur dje. Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kosova dhe Serbia u pajtuan në vitin 2015 që ura dhe rrethina e saj të revitalizoheshin, me synimin që ajo të hapej për të gjithë trafikun jo më vonë se qershori i vitit 2016. (Enlargement and Eastern Neighbourhood) Jemi në vitin 2026. Dhjetë vjet më vonë ende diskutojmë për hapjen e një ure. Kjo tregon edhe dobësinë e politikës evropiane në Ballkan: çështjet teknike, kur nuk zgjidhen në kohë, shndërrohen në probleme politike; problemet politike shndërrohen në probleme sigurie; dhe më pas kërkohet edhe më shumë diplomaci për të zgjidhur diçka që duhej të ishte zgjidhur prej kohësh”, shprehet analisti.

Gashi ka argumentuar se koordinimi me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në nuk duhet të shihet si kufizim i sovranitetit të Kosovës, por si mënyrë për ta fuqizuar atë.

“Një shtet i vogël dhe ende jo anëtar i OKB-së, NATO-s apo BE-së e shumëfishon fuqinë e vet përmes aleancave”, thotë Gashi, duke shtuar se Kosova nuk e ka arritur pozicionin e saj të sotëm e vetme.

Sipas tij, Kosova mund ta ketë të drejtën juridike për ta hapur urën, por politika shtetërore duhet të marrë parasysh edhe pasojat e mënyrës se si zbatohet një vendim.

“Pyetja nuk është vetëm: ‘A kam të drejtë?’, por edhe: ‘Çfarë fitoj, çfarë rrezikoj dhe kush qëndron pranë meje një ditë më pas?’”, thekson Gashi.

Ai ka paralajmëruar se një hapje e njëanshme, përkundër kundërshtimit të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë, mund t’i sjellë Kosovës përfitime të momentit në planin e brendshëm, por njëkohësisht t’i kushtojë kapital diplomatik në Bruksel dhe në qendrat e tjera vendimmarrëse.

Gashi ka folur edhe për shqetësimet e komunitetit serb në veri, duke vlerësuar se ato duhet të merren seriozisht dhe se qytetarët serbë duhet të ndihen të sigurt në rast të hapjes së urës.

Megjithatë, ai ka bërë dallimin mes dëgjimit të komunitetit serb dhe dhënies së një vetoje politike për funksionimin e institucioneve dhe infrastrukturës së Republikës së Kosovës.

“Qytetari serb në Mitrovicën e Veriut duhet të ndihet po aq i sigurt duke kaluar urën sa qytetari shqiptar nga jugu. Kjo është përgjegjësi e Kosovës. Por asnjë komunitet nuk duhet të ketë të drejtën të vendosë se cilat rrugë, ura apo institucione të Republikës mund të funksionojnë”, ka deklaruar ai.

Në këtë drejtim, analisti ka kritikuar edhe qasjen e BE-së, duke kërkuar më shumë qartësi rreth asaj se çfarë nënkuptojnë “konsultimet kuptimplota” të kërkuara nga Brukseli.

Sipas tij, nëse nevojiten konsultime shtesë, BE-ja duhet të përcaktojë me kë duhet të zhvillohen, çfarë duhet të përmbajnë dhe brenda cilit afat duhet të përfundojnë.

“Konsultime kuptimplota nuk mund të bëhen formulë për një proces pa fund”, ka shkruar Gashi.

Në fund, ai ka thënë se qëllimi duhet të jetë që Ura e Ibrit të pushojë së qeni një çështje politike dhe të bëhet thjesht një urë që lidh dy pjesët e qytetit.

Gashi propozon konsultime të menjëhershme, garanci konkrete të sigurisë, koordinim me KFOR-in dhe BE-në dhe një afat të qartë për hapjen e urës.

“Kosova duhet ta hapë urën e Ibrit. Por në procesin e hapjes së një ure në Mitrovicë, nuk duhet të djegë urat politike me aleatët e saj. Kjo nuk është dobësi. Kjo quhet politikë shtetërore”, përfundon ai.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *