Analisti reagon pas deklaratës së DASH për situatën në Kosovë – përmend opozitën për bllokada dhe ndikim të dyshuar nga jashtë!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.
“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, tha zëdhënësi.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor. Ato u shpallën pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.
ImageGani QarriFoto galeri
Analisti tha se rreziku për Kosovën nuk vjen vetëm nga armiq të jashtëm, por edhe nga politikanë shqiptarë brenda vendit, të cilët me bllokada dhe kriza politike po dëmtojnë shtetin, duke shqetësuar edhe SHBA-të, prandaj këto veprime duhet të hetohen seriozisht.
“Fakti se mbiemri i armiqve të shtetit të Kosovës nuk u dashka gjithmonë dhe me patjetër të jetë çdo herë vetëm me prapashtesa sllave, për ta kërcënuar seriozisht qëndrueshmërinë e pavarësisë së vendit dhe dëmtuar pafundësisht dhe në mënyrë të përsëritur me ngërçe e bllokada institucionale shtetin e Kosovës, e dëshmon gjendja e mjeruar politike në Kosovë, e shkaktuar nga udhëheqësit dubioz shqipfolës të partive vendore opozitare, për çka me arsye kanë filluar të brengosen seriozisht edhe vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat tanimë edhe zyrtarisht kanë filluar të shqetësohen dhe shprehin publikisht brengosjen e thellë për zhvillimet e fundit në vend duke u deklaruar me shqetësim serioz për vazhdimin e bllokadës politike në Kosovën e çliruar të mbrojtur ushtarakisht e të mbajtur në këmbë me zor, nga vendet euroatlantike, veprime misterioze me sqarimin përfundimtar e të cilave urgjentisht dhe me seriozitetin më të madh duhet të merret edhe Agjencia e Inteligjencës”, u shpreh ai.
Duke vazhduar bisedën analisti shton që kriza politike dhe bllokadat në Kosovë janë bërë aq serioze sa kanë shqetësuar edhe SHBA-të, dhe përveç rrezikut nga jashtë, edhe veprimet e brendshme po e kërcënojnë shtetin, prandaj duhet të hetohen seriozisht.
“Akt që vërtetë bëhet edhe më akut për tu trajtuar zyrtarisht nga AKI, tanimë kur edhe nga SHBA, u thye heshtja e gjatë, dhe hodh poshtë mos deklarimi publik për zhvillimet e brendshme, duke u lëshuar deklarata edhe nga vet zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, i SHBA-ve, i cili për Radion Evropa e Lirë, tha jo pa pezëm, se “bllokimi i vazhdueshëm politik po e dëmton edhe besimin ndërkombëtar në institucionet e shtetit të Kosovës”. Kjo gjendje realisht duhet t’i shqetësojë thellë të gjithë shqiptarët dhe mbështetësit e sinqertë të mbarëvajtjes së shtetit të Kosovës, për seriozitetin e situatës dramatike në Republikën e Kosovës, e cila sa vije e po rëndohet nga politika e stërkequr e partive opozitare, të cilat duket se janë vënë në shërbim të dreqit dhe me veprimet e tyre misterioze, kanë filluar ta kërcënojë hapur qëndrueshmërinë e pavarësisë, akt që nuk duhet lejuar të shkojë më tutje, ndryshe po vihet në rrezik të hapur, jo më vetëm nga Serbia por edhe nga veprimet konspirative opozitare, vazhdimësia e shtetit të Kosovës”, shpjegoi analisti.
Në fund, analisti Qarri nënvizon që deklarata e SHBA-ve tregon qartë se bllokadat politike po dëmtojnë seriozisht besimin ndaj Kosovës dhe po rrezikojnë pavarësinë, prandaj nëse këto veprime të opozitës vazhdojnë dhe lidhen me ndikime të jashtme, ato duhet të hetohen urgjentisht nga AKI.
“Këtë rrezik e forcon edhe më tepër deklarata publike e zëdhënësit të Departamenti të shtetit të SHBA-ve, i cili tha hapur se bllokada politike po dëmton besimin në institucionet e Republikës së Kosovës, që realisht është vërejtja më e drejtpërdrejtë dhe qortimi më i rëndë publik, i lëshuar ndonjëherë në 27 vitet e pasçlirimit të Kosovës, nga SHBA-ja zyrtare, akt që duhet kuptuar qartë dhe marrë përfundimisht mësimin e duhur, se nuk mund të vazhdohet më me veprime të tilla konspirative, kundër qëndrueshmërisë së shtetit dhe rrezikimit të statusit të pavarësisë së Kosovës.
Ndryshe nëse natyralizohen këto mënyra misterioze se si opozita po e ushtron rolin e saj të dyshimtë, duke kontribuar direkt në perceptimin kaq negativ për zhvillimet politike në vend, me arsye krijohen dyshime të thella mbi ngërçet politike dhe bllokadat e orkestruara institucionale nga opozita në koordinim me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën “Listë serbe” dhe direktivat e Aleksandër Vuçiqit, ndaj është koha e fundit që AKI të shqyrtojë qëllimet kobzeza opozitare, nëse ato janë të ligjshme e legjitime dhe cili është në të vërtetë misioni misterioz i opozitës konspirative në relacion me qëndrueshmërinë e pavarësisë dhe kërcënimet e veprimeve të saj kundër vendit dhe vazhdimësinë e shtetësisë të Republikës së Kosovës”, përfundoi analisti Gani Qarri për “Bota sot”.
